Zotimi i Mërgjyshit: Mund Lushnjën dhe rikthej Bylisin në Superiore

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 9, 2017 | 12:15

Zotimi i Mërgjyshit: Mund Lushnjën dhe rikthej Bylisin në Superiore

Më shumë se dhjetë ditë më parë, Artan Mërgjyshi pranoi ofertën për të marrë drejtimin e Bylisit. Objektivi është i padiskutueshëm, rikthim në Superiore. Me ndeshjen e parë të fituar në transfertën e Elbasanit dhe të dytën që e luan në fushën e vet ndaj Lushnjës kryesuese, Mërgjyshi rendit argumentet pse pranoi të drejtojë ballshiotët.

Përpara një sfide që mund të rezultojë vendimtare për sa u përket objektivave, tekniku tregon gjithçka në një intervistë për “Panorama Sport”.

Mergjyshi Bylis

Pse vendosët të merrnit drejtimin e Bylisit dhe çfarë përshtypjesh ju la skuadra në ndeshjen e parë të vitit që fitoi në Elbasan?

Për sa i përket sfidës së parë që luajtëm në Elbasan, mendoj se Bylis ishte brenda pritshmërive, për atë kohë të shkurtër që isha në krye të ekipit. Pranova të merrja drejtimin e Bylisit duke u nisur nga emri që kae skuadra, përbërja dhe tradita që ka në Kategorinë e Parë dhe për shumë vite prezente edhe në Superiore. Synimi dhe këmbëngulja e drejtuesve për ta ngjitur ekipin sërish në elitë dhe të gjithë faktorët e mësipërm më intriguan që të pranoj ofertën për të drejtuar Bylisin.

Përbërja e ekipit si edhe merkato që u bë kanë shtuar besimin për rikthimin e kësaj skuadre në elitën e futbollit shqiptar. Duke pasur parasysh se ka edhe disa probleme stërvitjeje me lojtarë të veçantë që janë afruar gjatë merkatos, mendoj se e nisëm mirë duke fituar në Elbasan.

Bylisi është konsideruar si mbreti i merkatos së janarit për shkak të shumë afrimeve që ka bërë. Jeni i kënaqur nga futbollistët e afruar?

Drejtuesit më kanë mbështetur në këtë aspekt duke afruar lojtarë me emër dhe me eksperiencë në Superiore. Këta futbollistë të ardhur duke iu bashkuar edhe atyre që ishin në ekip, mendoj se kanë krijuar një kontingjent të mjaftueshëm. Pa frikë mund t’ju them se këtë grup lojtarësh që ka Bylisi tani mund ta kenë zili edhe ekipet e Superiores. Megjithatë, nuk është vetëm merkatoja, por duhet edhe harmonizimi i lojtarëve. Kemi disa probleme fizike me disa futbollistë që nuk kanë bërë stërvitje të mirë gjatë kësaj periudhe.

Të hënën luani përballë rivalit direkt në luftën për elitën. Mund të vendosë sezonin sfida ndaj Lushnjës?

Nëse kërkojmë të bëjmë një sezon të mirë, dëshira është që këtë takim ta kishim më vonë, jo kaq shpejt. Kjo për të kolauduar sa më shumë ekipin dhe që lojtarët të marrin formën maksimale. Por, ky është kalendari dhe nuk kemi justifikim. Do të bëjmë gjithçka për të marrë maksimumin e pikëve në këtë sfidë shumë të rëndësishme. Përballë do të kemi një ekip që ende nuk njeh humbje në këtë kampionat, por do bëjmë gjithçka për ta fituar këtë sfidë.

Sa mund të ndikojë fakti që Bylisi është nën presion për ta fituar këtë takim, ndërsa Lushnja duket më e kënaqur edhe me një pikë?

Çdo ndeshje ka avantazhet dhe disavantazhet e veta. Avantazhet e Lushnjës janë që renditet në vend të parë, gjashtë pikë më shumë se ne; ka lojtarë me eksperiencë dhe për më tepër ende nuk njeh humbje. Avantazhet tona janë që kemi frymë optimiste, kemi lojtarë të uritur për vendin e parë dhe punojmë në kushte shumë të mira për sa i përket standardit që është në Kategorinë e Parë. Duke qenë se luajmë në fushën tonë dhe do të kemi edhe mbështetjen e tifozëve, kam shumë besim se do arrijmë ta fitojmë këtë ndeshje.

Besoni se do arrini në riktheheni në Superiore?

Ky është objektivi i skuadrës, ngjitja në elitë. Nëse nuk do besoja se mund ta arrinim, nuk do isha në krye të ekipit. Kam shumë besim se do jemi pikërisht ne skuadra që do të luajmë në Superiore sezonin e ardhshëm. Këtë filozofi duhet ta injektojmë tek ekipi dhe lojtarët që më pas ata ta shprehin në fushë. Na favorizon shumë edhe formula e kampionatit që përgjysmohen pikët në fazën e tretë. Është një formulë që ndihmon edhe ekipet e tjera që janë poshtë nesh, pasi i fut në lojë. Do të jetë një kampionat i fortë dhe na duhet t’i marrim ndeshjet me radhë.

Hyrja falas

Bylis do të presë Lushnjën të hënën, më 13 shkurt në një sfidë që mund të rezultojë shumë e rëndësishme për sa u përket objektivave të të dy ekipeve. Diferenca mes ekipeve është gjashtë pikë me lushnjarët në krye të Grupit B. Ballshiotët do të kërkojnë me ngulm trepikëshin në këtë takim. Dhe, për ta arritur këtë, drejtuesit po bëjnë maksimumin. Në këtë mënyrë, hyrja në tribunën përballë do të jetë falas dhe klubi ka nisur të bëjë thirrje.

BESAR BOZGO

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"