“Zoti s’kalon në Shqipëri”, Gjyla: Nëse na gjykojnë si në Fier, nuk e mundim dot Apoloninë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 3, 2020 | 17:37

“Zoti s’kalon në Shqipëri”, Gjyla: Nëse na gjykojnë si në Fier, nuk e mundim dot Apoloninë

Lushnjarët e presin derbin e së dielës me tri mungesa të rëndësishme. Canka, Mezini dhe Baze janë të skualifikuar, sepse që të tre morën kartonin e katërt të verdhë ndaj Pogradecit dhe ndaj Apolonisë janë të padisponueshëm. Më i çuditshëm është kartoni i Bazes, sepse te Lushnja të gjithë e dinin që e kishte marrë Gava, por dje ata kanë mësuar atë çfarë është shkruar në protokoll.
gjyla
GJYLA – Trajneri Ilir Gjyla ka reaguar me ironi dhe batuta rreth këtij fakti. Për “Panorama Sport”, ai shprehet: “Po, na mungojnë tre lojtarë në derbin me Apoloninë. Siç duket, rastësisht qëlloi që në ndeshjen me Pogradecin arbitri u dha kartonë tre lojtarëve që ishin me nga tre kartonë të verdhë. Si ka mundësi? Mendoj që ka qenë rastësi. Ka vetëm një ngatërresë, që futbollisti Gava vazhdon të thotë “kartonin e mora unë”. Në pamjet filmike nuk është shumë e qartë, pas ndeshjes kam folur personalisht me gjyqtarin dhe ai e kishte vendosur që e kishte marrë Baze. Edhe gjatë ndeshjes ne mendonim se u ndëshkua Gava. Ndoshta arbitri ka ngatërruar 6-ën e Gavës me 8-ën e Bazes. Kartonët ishin të gjithë për kundërshtim, jo për faulle. Ne u habitëm dhe po thoshim: ore, çfarë bëri? Zullumi nisi kur ai dha një herë faull e pastaj gol, ndaj dhe lojtarët po debatonin. Canka dhe Gava, që është përkthyer në Baze, e morën aty kartonin, në rrëmujë. Cankën e pamë, e thirri anësori dhe i tha ‘jepi karton se më shau mua nga pulat e shtëpisë’…

”FRIKË NGA LUSHNJA – “Na mungojnë 3 titullarë në derbi. Çfarë të bëjmë? Kam një vit që qaj, nuk kam ndërmend të qaj akoma, sepse m’u qelbën sytë nga lotët. Frikë nga Lushnja? Absolutisht që jemi skuadra më e mirë e grupit, por këto që themi tani për kartonët janë kot. Gjatë vitit na kanë ndodhur shumë gjëra. Jam ekip pretendent dhe jam rrahur nga Shënkolli dhe nga Oriku, a e dini çfarë kanë bërë gjyqtarët me mua? Do thoni ju që trajneri i thotë për justifikim, por nuk e them këtë gjë për ndeshjen me Cërrikun, ku dolëm 0-0 dhe gjykimi ishte korrekt. Në fund edhe mund të hanim gol. Nuk them kot, duke e ditur se çfarë kam hequr, e pranoj dhe them se s’kam çfarë të bëj”, shton më tej trajneri lushnjar.
apolonia
DERBI – “Po qe se na gjykojnë si në Fier, nuk i rrahim dot. Nuk mundemi t’i rrahim. Kemi mbushur një vit stërvitje, megjithatë ky qenka verdikti. Nëse ju kujtohet, në fillim kam thënë për gazetën tuaj se ‘duhet të jesh i pranueshëm për Superioren, nëse nuk je i pranueshëm, nuk hyn dot’. Vazhdoj ta them këtë gjë”.

ZOTI S’KALON NË SHQIPËRI – Në fund, duke i kujtuar se Lushnja e tij ende ka shanse dhe se ndoshta mund të shkojë haka tek i zoti, trajneri Gjyla e ka gati batutën: “Ne do të luajmë futboll, por nuk hyn në punë Zoti fare. Zoti i bie përqark Shqipërisë dhe nuk kalon këtej, kalon nga Mali i Zi, pastaj në Maqedoninë e Veriut dhe nuk kthehet këtej”, përfundon trajneri Gjyla.

FATJON RUPI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"