Zmijani: Vllazni, mos e fal Kupën! Skuadra nuk mund të ecë vetëm me një modul loje

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 2, 2017 | 21:00

Zmijani: Vllazni, mos e fal Kupën! Skuadra nuk mund të ecë vetëm me një modul loje

Mjeshtri i Meri tuar i Sportit, Hysen Zmijani, e shikon sërish të hapur çështjen e kualifikimit për në çerekfinalen e Kupës së Shqipërisë. Humbja 2-0 në Tiranë, natyrshëm që nuk është përjetuar mirë jo vetëm nga ana e ekipit, por edhe specialistët dhe tifozët e zjarrtë shkodranë. Një prej tyre është edhe Hysen Zmijani, i cili nuk e priste një humbje të tillë ndaj Tiranës.

hysen zmijani

Por ajo që po shqetëson më shumë ish-mbrojtësin është loja pa grintë që Vllaznia ka shfaqur në këtë takim. “Nuk e di, ishte zgjedhje e trajnerit apo ishin mungesa për arsye dëmtimi, apo për të ruajtur lojtarët, mosprania e disa titullarëve. Mendoj se këto mungesa ndikuan në këtë takim. Unë kam parë një Tiranë më të motivuar dhe më kërkuese në drejtim të portës shkodrane që në momentet e para. Nga ana tjetër kam parë një Vllazni pa grintë për të qenë superiore. Ndoshta është edhe një strategji e klubit, që të mos i vërë shumë rëndësi Kupës.

Por, unë mendoj se është mënyra më e shpejt për dalë në Kupat e Europës dhe nuk ka asnjë shpjegim që të hiqet dorë. Ndoshta është edhe ajo tjetra, që vëmendja më e madhe është te kampionati dhe mbijetesa. Mund të mos ekzistojë asnjëra prej tyre, por është humbur një takim ku kemi treguar pak nga vetja. Megjithatë, ishte vetëm një përballje. Rezultati nuk të bën të jesh shumë optimist, por asnjëherë nuk mund të thuhet se gjithçka është e mbyllur. Janë edhe 90 minuta dhe gjërat mund të rrokullisen në favorin tonë. Djemtë duhet të tregojnë grintë dhe dëshirë në fushë. Nëse arrijnë këtë, atëherë edhe mund t’ia dalin”, u shpreh Zmijani.

hysenzmijani

LAÇI

Përballja e së dielës me Laçin ka një rëndësi të veçantë, pasi në rast fitoreje do të ishte suksesi i tretë radhazi për kuqeblutë. Fitorja do t’i jepte një impuls shtesë skuadrës, por Vllaznia nuk do ta ketë aspak të lehtë nesër. “Vllaznia duhet ta harrojë takimin me Tiranën. Vëmendja duhet të jetë e fokusuar totalisht te sfida me Laçin.

Është një takim i vështirë, pasi këto sezonet e fundit e kemi pasur të vështirë ndaj Laçit. Skuadra duhet të tregohet me grintë për të kaluar me sukses këtë takim. Nëse do të kalohet me sukses edhe kjo sfidë, atëherë mund të thuhet se kemi filluar të ecim në drejtimin e duhur sa i përket luftës për mbijetesë. Unë e shikoj si tepër të rëndësishme këtë sfidë. Kam besim se mund t’ia dalim”, vijoi ish-mbrojtësi.

SHQETËSIMI

Përtej optimizmit që shfaq Hysen Zmijani për takimin me Laçin, ai sërish ndan një shqetësim të madh për sa i përket lojës që po zhvillon Vllaznia. Mjeshtri i Merituar i Sportit nuk shikon ndonjë ndikim të madh të stafit të ri te skuadra. Këtë e lidh me lojtarët që ka në dispozicion. “Dy takimet e fundit më kanë ngrohur pa masë pikët, pasi ishin të domosdoshme, por të jem i sinqertë nuk jam shumë i kënaqur me lojën.

Nuk e shikoj Vllazninë të ecë me një modul loje të saj në sulm apo të mbrohet më mirë. Më shumë i besohet spontanitetit, sesa lojës me koncept për të kërkuar golin. Për mua, Vllaznia ka kohë dhe jo sot që nuk bën lojën e saj. Nuk shikoj ndonjë ndryshim të madh te loja, pavarësisht ndërrimet të stafeve teknike. Ndoshta edhe gabohem, por mund të jetë edhe fakti që trajneri që vjen e ka të vështirë të imponohet me këtë “brumë”.

Edhe vetë jam skeptik dhe nuk di të jap përkufizime të sakta. Po të shikosh lojtarët, vëren se ekipi ka potenciale. Por kur shikon lojën, nuk di çfarë të thuash. Ke një mesfushë me emra luksi në stol, si dhe me djem të rinj dhe me shumë të ardhme që luftojnë për një vend në formacion. Vllaznia nuk prodhon lojën që dëshirojmë ta shikojmë, në mënyrë që të na japë besimin e plotë për një të ardhme tjetër, ku të jemi më të qetë. Me atë që shikoj, sërish Vllaznia është vetëm për mbijetesë”, përfundoi ish-mbrojtësi i Vllazninë dhe Kombëtares, Hysen Zmijani.

ADMIR URUÇI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"