Zmijani: Teuta zbuloi mangësitë e Vllaznisë, tifozët u shpërblyen me zhgënjim

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 20, 2017 | 19:25

Zmijani: Teuta zbuloi mangësitë e Vllaznisë, tifozët u shpërblyen me zhgënjim

Hysen Zmijani priste shumë më shumë nga Vllaznia dhe sidomos nga mesfusha. Sipas tij, testi i vërtetë i shkodranëve ishte Teuta, pasi fitorja me Lushnjën nuk mund të merret si matës. Ish-futbollisti i mirënjohur, në një deklaratë të dhënë për “Panorama Sport”, evidenton mangësitë e kuqebluve, por jo vetëm. Ai thekson se ekipet në tërësi kanë probleme me profesionalizmin.

hysen zmijani

“Vllaznia bëri një paraqitje zhgënjyese në javën e dytë. Ndeshja e parë ndaj Lushnjës nuk ishte testi i duhur për të parë gjendjen dhe forcën e ekipit tonë. Provë ishte përballja me Teutën, pasi u panë edhe dobësitë.

Nuk më kanë bindur në këtë takim blerjet e bëra dhe kur them blerjet e bëra, e kam fjalën për lojtarët cilësorë që ekipi ka afruar në mesfushë. Unë nuk ia ul vlerat askujt, por mendoj se nuk janë aty ku duhet. Megjithatë është vetëm ndeshja e dytë dhe nuk ka shumë vend për panik. Kjo skuadër kërkon inkurajim e kurajë”, u shpreh fillimisht Zmijani.

MANGËSITË

Sipas Mjeshtrit të Merituar të Sportit, ekipi kuqeblu ka gabuar sidomos në qarkullimin e topit. Lojtarët e mesit të fushës, sipas tij, nuk janë në gjendjen e duhur fizike. Teksa i ka bërë një analizë lojës së takimit me Teutën, ai thotë:

“Në mesin e fushës, qarkullimi i topit mungoi shumë. Në këtë repart, ne prisnim më tepër, pasi edhe lojtarët që janë marrë duhet që të jepnin më shumë. Ata duhet të rriten në anën fizike, pasi teknikisht janë mirë. Ndërsa sulmi ishte sërish me probleme dhe ka çaluar jo pak. Sulmuesi i ardhur nuk kishte cilësinë e duhur, pasi luan me shpinë nga porta. Ndërsa pres që më shumë të japin mbrojtësi i djathtë Gocaj, pasi ka mundësi më shumë për të dhënë.

Ndërsa Gurishta duhet që të rrisë më shumë cilësinë e tij. Lika duhet që ndihmojë më shumë sulmin, pasi cilësitë nuk i mungojnë. Vllaznia duke të ishte më e mbyllur në mbrojtje në momentin kur edhe pësoi gol. Ishte një gabim i mbrojtjes, në tërësi i Gurishtës, por edhe i Orelesit, i cili nuk e mbylli siç duhet. Ndiej keqardhje, pasi ekipi u godit në momentet e veta më të mira. Neve na mungon edhe fati, si në rastin e asaj gjuajtjeje të Likës”.

PËRGATITJA

Ish-mbrojtësi i mirënjohur është ndalur edhe te profesionalizmi, ndërsa evidenton se në tërësi kampionatit shqiptar i mungojnë lojtarët me përgatitje të lartë fizike.

“Me përjashtim të një Skënderbeu apo një Partizani, te të gjitha ekipet e tjera mungon profesionalizmi. Si ka mundësi që këta lojtarë janë të pastërvitur dhe çalojnë fizikisht që në ndeshjen e dytë të kampionatit?! Ekipi duhet të funksionojë më mirë dhe këtu faji u mbetet vetëm lojtarëve. As bashkia, as kryetarja nuk ka faj se skuadra nuk është përgatitjen e duhur. Tifozët nuk munguan, por në fund morën si shpërblim vetëm zhgënjimin”, theksoi Mjeshtri i Merituar i Sportit.

BESIMI

Megjithatë, fjalën e tij ai e mbyll me nota pozitive, ndërsa shprehet optimist për transfertën gjirokastrite. “Nuk duhet që të jemi pesimistë që pas ndeshjes së dytë. Në ekip ka lojtarë që kanë cilësi të mira dhe mund të luajnë si të barabartë në çdo fushë. Kjo më bën që të jem optimist se Vllaznia nuk do të dalë pa një pikë në fushën e Gjirokastrës. Nuk do të jetë e lehtë, por nuk është as e pamundur”, përfundoi Hysen Zmijani.

ADMIR URUÇI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"