Zmijani skeptik për situatën e skuadrës shkodrane: Skënderbeu vendos për Vllazninë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 3, 2018 | 22:25

Zmijani skeptik për situatën e skuadrës shkodrane: Skënderbeu vendos për Vllazninë

Ish-futbollisti i mirënjohur, Mjeshtri i Merituar i Sportit, Hysen Zmijani, e shikon me syrin negative situatën aktuale të Vllaznisë. Humbja e fundit me Kukësin, që përkon me ndeshjen e parë për 2018-ën, ka krijuar një frymë mosbesimi te specialistët e tifozët shkodranë për vetë faktin se kuqeblutë i pret një tjetër provë e vështirë, ajo e së dielës me Skënderbeun.

Zmijani

Ish-mbrojtësi i Vllaznisë dhe Kombëtares, Zmijani, ende nuk është i bindur nga afrimet e bëra në merkaton e janarit. Ndërsa takimin me korçarët e vlerëson si shumë të rëndësishëm për ecurinë e mëtejshme. Ndërkohë, ai nuk është i qartë për situatën financiare të klubit, pasi ndryshe thuhet në asamblenë e klubit dhe ndryshe në mbledhjet e Këshillit Bashkiak të Shkodrës.

Zmijani, si e shikoni situatën aktuale te Vllaznia?

Një nisje jo e mirë e 2018- ës të krijon një shije të hidhur. Situata nuk është aspak e mirë, për më tepër kur skuadra nuk të krijon një siguri. Në takimin e parë nuk është se skuadra ka treguar një lojë bindëse. Kjo të bën që të mos ndihesh mirë për momentin.

Çfarë mund të na thoni për afrimet që ka bërë skuadra në merkaton e janarit?

Trajneri dhe stafi i tij teknik e njohin më mirë situatën. Nuk duhet që të bëjmë tani vlerësime, përpara se t’i shikojmë më mirë këta lojtarë. Shpresojmë që të bëjnë një paraqitje krejt ndryshe nga ajo e takimit të parë. Ndoshta duhet më shumë kohë për sinkronizim.

hysen zmijani

Po flitet shumë për borxhe dhe probleme financiare të klubit, ju si mund ta komentoni këtë problem?

Unë nuk mund të them asgjë të prerë në këtë drejtim. Njëherë thonë, “u miratua borxhi”, më pas flitet për probleme rrogash. Në këshill flitet ndryshe, në asamble krejt ndryshe. Për këtë drejtim nuk di të them asgjë të sigurt.

Vllazninë e pret një tjetër përballje e vështirë, ku nesër pret Skënderbeun në “Loro Boriçi”. Si vlerësoni këtë duel?

Mund të them se është një nga takimet më decizive të skuadrës. Një përballje me një kundërshtar shumë të vështirë, që këto vitet e fundit ka fituar rregullisht në Shkodër. Një problem më shumë për këtë takim është edhe fakti se Skënderbeu vjen pas një humbjeje dhe do të kërkojë që të forcojë pozitat e veta. Është një takim, ku nuk e mendoj fare fjalën tolerim. Prandaj e shkoj si të vështirë, por kurrsesi nuk do të them të pamundshëm për të marrë më të mirën.

hysenzmijani

E shikoni tepër të rrezikuar Vllazninë?

Normalisht nëse do të lihen pikë në fushën tende, edhe pozitat vështirësohen. Por, unë do të thosha që, për ecurinë e mëtejshme të kësaj skuadre, do të ketë një ndikim të madh rezultati i takimit me Skënderbeun. Një fitore do t’i jepte jo vetëm pikët, por edhe një rritje morali ekipit.

Një rezultat tjetër do të bënte që skuadra të ndihej përherë e më shumë e rrezikuar. Vllaznia duhet që të kërkojë maksimumin në këtë takim, në mënyrë që të marrë edhe më të mirën. Këta djem janë ata që e mbajtën ekipin në Superiore sezonin e kaluar. Ndaj, shikoj që po këto djem do të jenë sërish ata do të dalin nga kjo situatë.

ADMIR URUÇI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"