Zmijani: Pres të vërtetohen akuzat e thëna, të dënohem nëse kam faj

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 22, 2017 | 17:30

Zmijani: Pres të vërtetohen akuzat e thëna, të dënohem nëse kam faj

Një nga prindërit e shumtë që po kërkojnë të afirmojnë fëmijët e tyre në futbollin e luajtur, menaxheri i futbollit Luan Shpuza, njëherësh edhe drejtues i Akademisë “Zamir Shpuza”, ka akuzuar, përmes rrjetit social “Facebook”, teknikun e ekipit U- 19, Luan Zmijani.

Zmijani

Sipas tij, trajneri i ekipit U-19 i Akademisë Vllaznia kërkon 1000 euro për të marrë një futbollist në ekipin që do të luajë në Ligën e Kampioneve për të rinj pas pak ditësh në Moldavi. Kjo akuzë ka ardhur menjëherë pasi i biri i Shpuzës nuk është përfshirë në listën e 25 lojtarëve që do të udhëtojnë me ekipin drejt Moldavisë.

Por, i pyetur në lidhje mbi këtë akuzë, e cila duhet thënë se është mjaft e rëndë, trajneri aktual i 19-vjeçarëve, Luan Zmijani, i ka hedhur poshtë të gjitha akuzat e bëra në drejtim të tij, madje ka paralajmëruar edhe hapjen e një procesi gjyqësor rreth kësaj çështjeje.

REAGIMI – I kontaktuar nga “Panorama Sport”, trajneri i ekipit të 19-vjeçarëve, Luan Zmijani, është shprehur: “Nuk merrem me fjalë prindërish. Me të do të ballafaqohem vetëm në gjyq. Jam i gatshëm të marr çdolloj dënimi nëse ai arrin të vërtetojë fjalët e thëna. Nga ana tjetër, do të kërkoj dëmshpërblim sidomos për dëmin moral që më është shkaktuar.

Zmijani

Gjithashtu, dua të shtoj se aty janë edhe prindërit e tjerë të fëmijëve dhe të më thonë nëse kam pirë qoftë edhe një kafe të vetme me gjithsecilin prej tyre.

Me përjashtim të interesimit që ata kanë shprehur për fëmijët e tyre dhe takimeve normale në fushën e stërvitjes, nuk kam pasur asnjë kontakt tjetër, siç edhe e thashë, qoftë edhe për një kafe me prindërit e fëmijëve”, ka mbyllur Zmijani, i cili duket mjaft i irrituar nga akuzat që janë bërë në drejtim të tij.

Ndërkohë, ai ka vazhduar përgatitjet me skuadrën për ndeshjen e parë që Vllaznia do të luajë ndaj kampionëve të Moldavisë, Zimbru. Ndeshja e parë do të luhet në transfertë më datë 27 shtator, ndërsa e kthimit më 18 tetor në “Loro Boriçi”.

ADMIR URUÇI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"