Zikaltrit debutojnë ndaj Leçes, “armiku” Inzagi tregon objektivat: Interi kërkon t’i fitojë të gjitha

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 25, 2022 | 11:53

Zikaltrit debutojnë ndaj Leçes, “armiku” Inzagi tregon objektivat: Interi kërkon t’i fitojë të gjitha

Interi do të udhëtojë në Pulja për të luajtur ndeshjen e parë të sezonit 2022-2023, atu ku do të përballet me Leçen, ekipin e sapongjitur në elitë. Start i lehtë për nënkampionët e Italisë, të cilët kanë shansin ta fillojnë mbarë duke marrë shkas edhe nga historia.

INZAGI

Në 11 herët e fundit kur zikaltrit janë përballur në ndeshjen hapëse me skuadrat e ngjitura, nuk kanë zhgënjyer asnjëherë duke korrur vetëm fitore, një statistikë që frymëzon jo pak skuadrën e Simone Inzagit.

Ka qenë pikërisht trajneri që ka komentuar ditën e djeshme kalendarin e Interit duke u shfaqur i qetë dhe optimist për ndeshjen debutuese dhe duke dhënë edhe mesazhin e parë për të tijtë në kampionat.

“E fillojmë sezonin me një skuadër si Leçe që i është bashkuar Serisë A vetëm këtë vit dhe do të jetë një sfidë stimuluese për ne, në të cilën pa dyshim që duhet të jemi të përqendruar dhe të kujdesshëm, pasi duam ta nisim si duhet”, është shprehur Inzagi, për të cilin do të jetë viti i tij i dytë në krye të Interit.

Vetëm pak ditë pas rinovimit të kontratës së tij deri në 2024 që i konfirmoi besimin e klubit, trajneri e di mirë se tani ka ardhur koha që ta shpërblejë me rezultate dhe trofeu i Serisë A është objektivi i parë që i kërkohet.

“Në Itali asnjë ndeshje në kampionat nuk është e thjeshtë, shtuar këtu edhe faktin që do të luajmë çdo tri ditë. Do të përgatitemi në mënyrën më të mirë të mundshme, për të përballuar çdo ndeshje me të njëjtën vendosmëri dhe dëshirë që do të na çojë drejt fitoreve”, përfundoi Simone Inzagi, që është ende në pritje të plotësimit të organikës së tij që duket se këtë verë do të ketë shumë afrime të reja. 

Përgatiti: NISLI GJINI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"