Zijeh mbetet në Londër, PSG-ja akuzon Çelësin: Cirk i klasit A

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 2, 2023 | 23:19

Zijeh mbetet në Londër, PSG-ja akuzon Çelësin: Cirk i klasit A

Mediat franceze kanë zbuluar kronologjinë e një prej operacioneve të dështuara më të bujshme në ditën e fundit të merkatos, siç ishte transferimi i munguar i Hakim Zijehut te PSG-ja. Kontrata e huazimit të sulmuesit të Çelsit në “Parc des Princes” dështoi që të dorëzohej në kohë, duke lënë të zhgënjyer sulmuesin, por edhe kampionët e Francës, të cilët akuzuan klubin anglez për hedhjen në erë të gjithë operacionit që u dakordësua në minutat e fundit mes dy klubeve.

zijeh

“RMC Sport” pretendon se shefat e PSG-së janë zemëruar, ndërsa klubi i Premier Ligës nuk u është përgjigjur një numri të njëpasnjëshëm telefonatash të vona nga ana e klubit francez, duke akuzuar për një cirk të madh të Çelsit, që sipas tyre ka dorëzuar dy herë kontrata të pafirmosura, ndërkohë që po afronte ora 12 e natës. PSG-ja dhe Çelsi kishin rënëdakord për huazimin e marokenit deri në fund të sezonit, me lojtarin që priste në hotel dhe kishte kaluar vizitat mjekësore.

PSG-ja i dërgoi Çelsit një ofertë të përmirësuar për huazimin në orën 22:40. Më pas klubi francez i telefonoi homologëve në orën 23:46, 23:48, 23:49 dhe 23:50 për t’i njoftuar se kontratat që kishin dërguar ishin pa firmën e tyre. Në orën 23:55 Çelsi e dërgoi kontratën të pafirmosur. Versioni korrekt sipas tyre thuhet se është depozituar nga Çelsi tre minuta pas mbylljes së merkatos. Çelsi ka një tjetër version për ngjarjen, por nuk pranoi të komentonte.

KRONOLOGJIA

Zijeh dhe PSG-ja kanë mbetur të zhgënjyer dhe zemëruar me Çelsin, ndërsa akuzojnë se e kanë bërë qëllimisht, pasi nuk kanë qenë dakord ta largojnë lojtarin. “Sky Sports” zbulon se gjithçka është prishur për shkak të një problemi teknik të paparashikueshëm. PSG-ja luftoi deri në fund dhe tentoi ta apelonte në Ligën Profesioniste të Futbollit, por apeli i tyre u hodh poshtë mëngjesin e së mërkurës. Kështu Zijeh do të qëndrojë në “Stamford Bridge” deri në fund të sezonit.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"