Zidan me COVID, alarm dhe frikë për futbollistët te Reali

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 23, 2021 | 11:21

Zidan me COVID, alarm dhe frikë për futbollistët te Reali

Reali i Madridit ka humbur “kapite nin” e anijes në një moment shumë delikat dhe të vështirë. Pas eliminimit nga Kupa e Mbretit dhe dështimit në gjysmëfinalet e Superkupës së Spanjës, vjen një tjetër lajm negativ për klubin “Galaktik”. Trajneri Zinedin Zidan ka rezultuar pozitiv me Koronavirus dhe si rrjedhojë do të humbasë ndeshjen e ditës së sotme ndaj Alaveshit. Në stol do të jetë David Betoni, ndihmësi i tij. Ky i fundit ka dhënë edhe konferencën për shtyp përpara mediave, ndërkohë që francezi është izoluar në shtëpinë e tij. Lajmin e bëri të ditur vetë klubi përmes një postimi në rrjetet sociale, ku njoftoi se Zizu ka rezultuar pozitiv në testin e COVID-it.zinedine-zidane-real-madrid-vs-mallorca-la-liga-2020-scaled-1-750x500

GJENDJE ALARMI – Por infektimi i trajnerit Zinedin Zidan me COVID mund të sjellë pasoja të tjera në skuadër duke marrë parasysh faktin që përpara tri ditësh zhvilluan ndeshjen në Kupën e Mbretit ndaj Alkojanos dhe kanë qenë bashkë në dhomat e zhveshjes dhe gjatë gjithë seancave stërvitore. Trajneri mund të ketë infektuar futbollistë të tjerë, por brenda klubit janë të sigurt se kjo gjë nuk ka ndodhur dhe pjesa tjetër e skuadrës nuk do të ketë të infektuar. Të gjithë u janë nënshtruar testeve dhe pritet të marrin përgjigje përpara ndeshjes. Duke u kthyer pas në kohë, mund të kuptojmë edhe arsyen pse Zidan nuk e grumbulloi të gjithë skuadrën në fundin e lojës për ta motivuar gjatë shtesës. Ndoshta trajneri mund të ketë pasur simptoma të lehta, por tamponi i dilte negativ. Përpara një jave ai kishte kontakt me një person të prekur me Koronavirus, por nga analizat nuk rezultoi vetë i prekur.real madrid

SHUMË MUNGESA – Por pavarësisht COVID-it në skuadër, Reali i Madridit do të ketë edhe probleme të tjera për shkak të mungesave për arsye muskulore. Trajneri Betoni nuk do të ketë të gatshëm për duelin ndaj Alaveshit disa lojtarë të rëndësishëm. Kapiteni Serxho Ramos nuk është stërvitur gjatë këtyre ditëve dhe nuk do të udhëtojë me ekipin. Gjithashtu, Dani Karvahal vazhdon të jetë i dëmtuar, por i fundit që është futur në infermieri është mesfushori Federiko Valverde. Ai ka ndier shqetësime dhe nuk ka bërë fare stërvitje. Edhe Rodrigo nuk është i gatshëm, ndërsa Naço është izoluar për shkak se ka pasur një kontakt me një person të prekur me Koronavirus. Në këtë mënyrë, Reali i Madridit do të ketë vetëm 17 futbollistë nga ekipi i parë për duelin e sotëm ndaj Alaveshit. Ekipi duhet të reagojë patjetër për të shmangur një tjetër dramë që mund të çojë në shkarkimin e menjëhershëm të trajnerit Zidan. Ky i fundit ia doli që të mbijetojë deri në fundin e sezonit dhe atëherë do të merren masat.

Përgatiti: GENTJAN ALINANI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"