Zhongo, një zbulim nga Janina për Bylisin: Do kapim Europën

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 26, 2020 | 17:17

Zhongo, një zbulim nga Janina për Bylisin: Do kapim Europën

Një nga lojtarët e talentuar që është bërë pjesë e skuadrës së Bylisit në merkaton e janarit është edhe shqiptari Vasil Zhongo. Ai vjen nga Greqia, ku në 6 muajt e fundit ka qenë pjesë e skuadrës së PAS Janinës, një klub i njohur në shtetin helen. Ndërsa një vit më parë mesfushori me tipare mbrojtëse ka luajtur në Itali në Serinë C me skuadrën e Alesandrias.ZHONGO

Zhongo debutoi me Bylisin afro një muaj më parë në ndeshjen me Laçin për Kupën e Shqipërisë. Ai luan përpara mbrojtjes, ndërsa në një prononcim që ka dhënë për “Panorama Sport” ka treguar edhe ambiciet që ka për këtë aktivizim për herë të parë në Superiore. “Unë vij nga dy eksperienca në Greqi dhe Itali. Kam luajtur me PAS Janinën dhe drejtuesit e Bylisit më kanë ndjekur.

Erdha në Shqipëri, sepse më treguan për projektin që kanë, por doja një kampionat elitar dhe unë e shoh si një mundësi që të rritem akoma më shumë këtu. Jam i ri dhe kam shumë dëshirë që të luaj sa më tepër. Kam besim se do të eci përpara dhe do të jetë shumë e vlefshme kjo eksperiencë për mua. Bylisi lufton për Kupat e Europës dhe ky është avantazhi. Kam zgjedhur eksperiencën në Shqipëri për të qenë më efikase se ato në Itali dhe Greqi”, deklaroi fillimisht Zhongo.

AMBICIET – Mesfushori tregon synimet që ka me ballshiotët dhe jo vetëm. Ai ka firmosur një kontratë afatgjatë, prandaj dhe shpreson që ambiciet e tij të ecin paralel me ato të klubit. “Kontrata ime në Ballsh është afatgjatë. Erdha në janar dhe këtë pjesë të dytë të sezonit po e shfrytëzoj të ambientohem me skuadrën dhe kampionatin shqiptar.unnamed (1)

Ndërsa kam filluar të përshtatem dhe po luaj, dua që ta shfrytëzoj këtë eksperiencë e të rritem sa më shumë”, përfundoi Zhongo, i cili luan në rolin e një mesfushori shkatërrues dhe shihet si një nga lojtarët me shumë perspektivë që kanë ballshiotët. Në sfidën e fundit ndaj Partizanit ai u aktivizua në pjesën e dytë.

Erjon Saliu

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"