Zhoao Mario, nga lider i mesfushës kthehet në çështje te Interi

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 21, 2017 | 12:37

Zhoao Mario, nga lider i mesfushës kthehet në çështje te Interi

Pas tri javëve të para, Interi ruajti ritmin e kreut duke fituar edhe në transfertën e vështirë të Krotones. Loja e zikaltërve la shumë për të dëshiruar, por rezultatet shpesh mbulojnë problemet. Me dy gola në minutat e fundit, djemtë e Spaletit mënjanuan kritikat pas arritjes së tri pikëve.

Interi

Ajo që në Kalabri dha sinjalet e para të një problemi, u shndërrua në një të tillë në sfidën ndaj Bolonjës. Penalltia e realizuar nga Ikardi i zbeh pak vështirësitë, por pa dyshim që nuk i fsheh. Interi i dy javëve të fundit ka treguar që problematikat për t’u zgjidhur gjatë stërvitjeve në “Pinetina” nuk janë pak. Limitet e skuadrave të mëdha janë për t’u kapërcyer, madje edhe në afate të shkurtra për të evituar shqetësime në të ardhmen.

TREKËNDËSHI I INTERIT

Ndër problemet, ai më i dukshmi është në mesin e fushës: metrat e shumtë të përshkuara nga lojtarët e Bolonjës dhe energjia e tyre vendosi në vështirësi të madhe treshen Vesino-Borha-Zhoao Mario. Edhe kur topin e kishin zikaltrit, ngadalësia e qarkullimit ishte e frikshme, pa harruar këtu edhe pjesën që ka të bëjë me topat e tepër të humbur, sidomos nga portugezi.

FC Internazionale v Cagliari Calcio - Serie A

IKARDI-PERISIÇ

Në ndeshjet e para dyshja Ikardi-Perisiç në disa raste kishte shpë- tuar Spaletin. Mbrëmjen e së martës, kroati shpalosi shumë pak nga repertori i tij, ndërsa Ikardi, përveçse luajti shumicën e kohës me shpinë nga porta, preku edhe shumë pak topa. Statistikat flasin qartë, kapiteni në 90 minutat ndaj Bolonjës preku sferën vetëm 18 herë.

Në krahun tjetër, Kandreva, si gjithmonë nuk kursehet, por paraqitjet e tij vazhdojnë të karakterizohen nga pasaktësitë. Nga 13 krosimet e prodhuara nga ish-mesfushori i Lacios, vetëm katër prej tyre arritën në destinacion. Kjo është një tjetër çështje ku Spaletit i kërkohet zgjidhje. Trajneri kërkon dy lojtarë krahu që përfshihen më shumë në lojë, deri tani Kandreva dhe Perisiç, pavarësisht vlerës së tyre të padiskutueshme, nuk po i plotësojnë dëshirën udhëheqësit të tyre.

MBROJTJA PA MBROJTJE

Shtatë goditjet drejt portës së Handanoviç, janë një shifër e papranueshme për një skuadër që tenton kreun. Nëse ato realizohen nga një futbollist i vetëm dhe vetëm brenda pjesës së parë, atëherë Spaleti ka më shumë se një arsye për t’u shqetësuar. Mbrojtja zikaltër ka pësuar vetëm dy gola në pesë javë dhe shifra është ngushëlluese, por mbrojtja nuk mund të lejojë që portieri të shënjestrohet me të tilla ritme.

inter

Dyshja e qendrës së prapavijës Shkrinjar-Miranda deri më sot është treguar e përsosur, por sulmuesi bolonjez Petkoviç i vendosi shpesh në vështirësi me futjet e tij në zonë. Është vetëm fillimi dhe normalisht trajneri duhet ende të punojë më skuadrën, Spaleti e ka treguar brumin e tij, tashmë duhet edhe që krijesa e tij të japë sinjalet e duhura.

Përgatiti: REINOLD BAKALLI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"