Zhoao Mario: I veçantë derbi me Andre Silvën, Spaleti është forca jonë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 9, 2017 | 15:51

Zhoao Mario: I veçantë derbi me Andre Silvën, Spaleti është forca jonë

Është një ndeshje e veçantë. Jemi në formë dhe duam të fitojmë në shtëpinë tonë. Shpresoj që për këtë të na ndihmojnë tifozët”. Kështu Zhoao Mario, për mikrofonat e “Premium Sport” është përpjekur të karikojë Interin kur mbeten edhe shtatë ditë nga “derbi i Madoninës”.

zhoao mario andre silva

DREJT DERBIT ME ENTUZIAZËM

Gjatë këtyre ditëve, vëmendja e të pasionuarve të futbollit është zhvendosur te përfaqësueset, më saktësisht te kualifikueset e Botërorit “Rusi 2018”. Por, me rinisjen e kampionateve, Seria A premton (mbi të tjerat) një supersfidë.

Ndeshja që do të presë “San Siro”, me biletat që janë thuajse të ezauruara, pritet të regjistrojë një total që do të vendosë edhe rekordin e arkëtimeve për një ndeshje të Serisë A, me një shifër prej 4,5 milionë euro, pas derbit të Pashkëve të një viti më parë, që u luajt në orar dreke (12:30), kur fitimet ishin thuajse të njëjtat me ato që priten për ndeshjen e së dielës.

“SPALETI VENDIMTAR”

Zikaltrit momentalisht ndodhen 2 pikë larg vendit të parë në renditje: objektivi i deklaruar është Liga e Kampionëve, por dikush ka menduar të ëndërrojë diçka më shumë. Numri “10” megjithatë predikon durim dhe për Spaletin ka vetëm fjalë të arta: “Është ende herët. Në krahasim me një vit më parë te ne ka ndryshuar organizimi, Spaleti ka qenë vendimtar, po kryen një punë të jashtëzakonshme dhe për ne mbetet një forcë më shumë”.

MIKU-RIVAL

Në sfidën brenda qytetit, Zhoao Mario do të përballet me Andre Silvën, shok skuadre te përfaqësuesja portugeze dhe një nga rreziqet kryesore të cilin mbrojtja zikaltër do të duhet të bllokojë: “Kemi folur, natyrisht edhe ai mendon për fitoren. Megjithatë, jemi ende të përqendruar te përfaqësuesja”. Portugalia do të përballet në ndeshjen e fundit të eliminatoreve me Zvicrën, ditën e nesërme në orën 20:45. Për të evituar fazën “play-off”, i duhet me patjetër fitore.

LEDIO NASE

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"