Zhgënjyen kundër Orikut, mbrojtësi i beratasve: Kthesa e Tomorit nis sot me Burrelin!

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 12, 2022 | 12:33

Zhgënjyen kundër Orikut, mbrojtësi i beratasve: Kthesa e Tomorit nis sot me Burrelin!

Pas paraqitjes brilante me Dinamon në shtëpi, Tomori sikur u “fut në ujë”. U mundën nga Oriku dhe duhet thënë që loja ishte vërtetë zhgënjyese. E megjithatë, kohë për të “qarë” nuk ka.

tomori-besa

Kjo javë është më shumë se e nxehtë për beratasit. Pikërisht sot luajnë për llogari të Kupës së Shqipërisë, ndërsa të shtunën presin Skënderbeun për llogari të kampionatit.

Kthesa do të ishte autokritika më e mirë dhe ajo duhet të nisë me Burrelin. Aktin e parë u mundën në shifrat 1-2 në “Liri Ballabani” dhe logjikisht asgjë nuk ka mbaruar.

Shanset për të kaluar më tej janë aty, ndonëse në Berat e kanë thënë hapur që nuk e kanë prioritet këtë kompeticion. E megjithatë, nuk është se do të zbresin pa qëllim në fushë.

Do të tentojnë të tregojnë se ajo disfatë në Fier ishte një aksident dhe marrin një rezultat që do t’u japë zemër para korçarëve. Beratasit do të duhet të përgatiten për të fituar, pasi çdo rezultat tjetër do t’i zbriste ndjeshëm në tabelë.

Këtë e ka pohuar për “Panorama Sport” edhe mbrojtësi Paolo Kasmollari. Pogradeci mendon që reagimi i ekipit do të nisë me matjanët.

“Humbja me Orikun na djeg të gjithëve, sepse e kishim parashikuar ndryshe gjithçka që kishte të bënte me lojën dhe rezultatin.

Unë mund të them me bindje se nuk ishte dita jonë, ndërsa nuk mund të heshtim për tendencën e shfaqur në gjykimin e këtij takimi.

Tani do të përgatisim që t’i rikthejmë kënaqësinë tifozërisë sonë që u zhgënjye në Fier dhe do të përgatitemi që t’u rikthehemi fitoreve si në mesjavë ndaj Burrelit.

Ekipi që do të zbresë në fushë do të tentojë kualifikimin dhe në ndeshjen e kampionatit ndaj Skënderbeut do të përsërisim vetveten si në ndeshjen e dy javëve më parë ndaj Dinamos”, përfundoi Kasmollari.

EDI SPAHIU – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"