Zhgënjen Tirana B, Tomori i revoltuar ndaj Paços, shpalleni “non grata”

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 25, 2015 | 13:24

Zhgënjen Tirana B, Tomori i revoltuar ndaj Paços, shpalleni “non grata”

Naftetari golTOMORI

Klubi i Tomorit nuk do të heqë dorë nga ajo çfarë ndodhi në takimin ndaj Naftëtarit. Klubi kërkon që arbitri kryesor Alvi Paço të shpallet “non grata” duke mos marrë përsipër të gjykojë më asnjë ndeshje të Tomorit. “Duhet të merrni masa për arbitrat e tillë, pasi kjo gjë mund të sjellë trazira dhe incidente në stadium. Ne si klub nuk duam të justifikohemi për humbjen, duam një lojë të drejtë. Kemi një grup lojtarësh që jemi në gjendje t’i grumbullojmë me forcat tona pikët duke mos kërkuar në asnjë mënyrë ndihmën e arbitrave”, bën të ditur klubi. Eris Sylyku

NAFTËTARI

Edhe pas përfundimit të “derbit” të Prefekturës, vazhdojnë polemikat në të dy kampet. Në një prononcim për gazetën, është trajneri i Naftëtarit, Fatmir Baçaj, që u përgjigjet beratasve dhe akuzave të kolegut të tij, Sinella. “Nuk mund të pajtohem me veprimet e stafit teknik beratas që na ka ofenduar vazhdimisht gjatë gjithë ndeshjes. Më vjen keq që drejtues të tillë, të paedukuar, pretendojnë për padrejtësi. Për humbjen gjithçka duhet ta kërkojnë te vetja dhe jo të justifikohen me pa të drejtë. Skuadra u dëmtua edhe nga ndëshkimet e shumta”. Arben Çepani

DOMOSDOVA

Fusha e stadiumit të Përrenjasit ku u luajt të dielën sfida Domosdova-Skrapari ishte në kushte skandaloze dhe në 90% e mbushur nga uji. Shefi i klubit dhe njëkohësisht kapiten i skuadrës, Ardit Facja, shprehet: “Fusha sportive e Përrenjasit kështu ka qenë që kur unë kam qenë fëmijë. Kështu e kanë katandisur të gjithë ata që kanë drejtuar bashkinë. Kemi në projekt zhvillimin e sportit në këto vitet e ardhshme dhe plani është që brenda vitit 2016 të kemi një stadium të ri. Me mbështetjen e kryetares së bashkisë Rira presim lëvrimin e një fondi”. Ledion Qoshku

GRAMOZI

Të gjithë në Ersekë mendojnë se ekipi i Gramozit në ndeshjet e luajtura deri tani ka treguar një nivel të kënaqshëm në lojë, por edhe në rezultat. Deri tani të gjithë futbollistët që janë aktivizuar me fanellën e Gramozit e kanë justifikuar besimin e trajnerëve Qirjako dhe Rustemi. Mesfushori kolonjar Eri Mydini shprehet: “Deri tani, ashtu si të gjithë futbollistët e tjerë të Gramozit, edhe unë jam përpjekur dhe kam dhënë më të mirën. Të mos harrojmë se kemi zhvilluar ndeshje të mira. Besoj se do të marrim rezultate pozitive në javët në vazhdim”. Koço Lilo

TIRANA B

Tirana B ka zhgënjyer në këto tetë javë deri tani ku renditet e fundit me vetëm katër pikë, një fitore, një barazim dhe 6 humbje me një golavarazh 24 të pësuar dhe 13 të shënuar. Pas humbjes me Veleçikun, ekipi i drejtuar nga Alimehmeti ka nisur përgatitjet për ndeshjen ndaj Internacional Tirana në “Skënder Halili”. Tekniku i Tiranës shprehet: “Kemi prodhuar lojë, por rezultatet na kanë munguar. Po përgatitemi për kthesën në takimin e radhës. Do të jetë një sfidë e vështirë ndaj Internacional, por kam shumë besim se do marrim rezultat pozitiv”. Shkëlqim Hasani

EGNATIA

Ekipi i Egnatias edhe këtë javë në transfertën e Gramshit nuk arriti të sigurojë pikët që i duhen për vazhdimësinë. Shkëlqim Lapi është shënuesi më i mirë i skuadrës deri tani me pesë gola në tetë ndeshje. “Më vjen keq që goli i parë që shënova në ndeshjen me Gramshin nuk i shërbeu skuadrës. Unë si sulmues bëj detyrën sa herë më jepen rastet gjatë ndeshjeve. Edhe në sfidën e kësaj jave që luajmë në fushën tonë ndaj Kavaja Junaited, kam shumë besim se do shënoj sërish. Premtoj që do të bëj maksimumin që të shënoj edhe për tifozët”, përfundon Lapi. Aldo Buzi

DELVINA

Delvinjotët, edhe pse janë mundur minimalisht 1-0 nga Tepelena në takimin e zhvilluar në “Sabaudin Shehu” të Tepelenës, ditën të interpretonin futboll të bukur dhe korrekt. Pavarësisht humbjes së pësuar, që është shoqëruar me analizë ditën e djeshme, binomi Mehmeti-Zani ka nisur përgatitjet për takimin me kryesuesit e grupit, Naftëtarin. “Të harrojmë humbjen me Tepelenën, edhe pse nuk e meritonim, por të shohim përpara. Naftëtarin e vlerësojmë për cilësitë që ka, por do luajmë për fitore”, shprehet trajneri i Delvinës, Dritan Mehmeti. Tomor Shehu

ALBPETROLI

Albpetroli ka marrë një barazim të merituar të dielën ndaj Shënkollit. Drejtuesit e klubit kanë reaguar ashpër ndaj presidentit të skuadrës kundërshtare, Artan Djala. “Si duket, Shënkolli është mësuar t’i fitojë ndeshjet me ndihmën e arbitrave. Ndërsa ne i kemi provuar të tre rezultatet në fushën tonë. Mendojmë se gjyqtari gjykoi drejt duke i dhënë hakun secilit ekip. Presidenti Djala gënjen duke e quajtur atë maskaradë, por goli ynë për të cilin pretendon ai u shënua 2 minuta brenda kohës së rregullt”, thuhet në deklaratën e klubit. Mario Gjika

VELEÇIKU

Me fitoren ndaj Tiranës B, ekipi i Veleçikut u ngjit edhe dy shkallë më lart në renditje dhe tashmë e sheh veten të tretin me 15 pikë. Koplikasit janë vetëm dy pikë larg vendit të parë. Veleçiku po tregon se është një prej skuadrave që do të pretendojnë ngjitjen në Kategorinë e Parë. Gjithashtu, ajo që duhet theksuar është rikthimi i tifozëve në mbështetje të skuadrës. Koplikasit kanë krijuar një tifo-grup dhe janë gjithmonë pranë ekipit. Sidomos në ndeshjet brenda fushe, ata krijojnë një atmosferë spektakolare. Esat Ymeri

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"