Zhduket sulmuesi i Kamzës, dilema për të pezulluarit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 25, 2018 | 18:55

Zhduket sulmuesi i Kamzës, dilema për të pezulluarit

Skuadra e Kamzës ndodhet në një krizë të vërtetë lojtarësh. Përpos dëmtimeve që nuk i janë ndarë për gjatë gjithë fazës së parë, asaj i duhet të përballojë edhe mungesat artificiale, siç janë ato të 5 lojtarëve të pezulluar nga ana e klubit. Kështu, ditën e shtunë do të shohim një Kamzë me lojtarë krejtësisht të rinj, por ky fakt ka efektin pozitiv, ndërsa klubi ka vendosur për t’u dhënë një mundësi më shumë këtyre të rinjve, që të afirmojnë vetveten dhe të luajnë më me dëshirë për të justifikuar vendin si titullarë.

rolovic

SEANCA STËRVITORE – Gjatë seancës së djeshme kanë marrë pjesë të gjithë lojtarët e federuar, përveçse një mungese, Roloviçit. Ka qenë një përpjekje e trajnerit Klodian Duro, për të mos i lejuar të stërviten së bashku me grupin katër lojtarët e tjerë të pezulluar: Mehmeti, Martinena, Orelesi e Bonani, në zbatim të urdhrit të presidentit Qarri.

Por, me mirëkuptim është lejuar që përgatitjen fizike ta bënin së bashku, ndërsa në ndeshjen e kontrollit nuk do të aktivizoheshin. Për gati një orë skuadra është përgatitur fizikisht, duke qenë se në përbërje të ndeshjes kundër Tiranës, do të jenë më të shumtë të rinjtë. Duke ditur dhe forcën e përgatitjen e lartë fizike që ka ekipi bardheblu, ngarkesa fizike e ka ndihmuar dhe trajnerin Duro për të parë se kush prej tyre ndihet mirë për ta përballuar 90-minutëshin e derbit.

NDESHJA E KONTROLLIT – Për rreth një orë tjetër ka zgjatur ndeshja e kontrollit mes dy grupeve, që trajneri Duro kishte përgatitur, në funksion të ndërtimit të formacionit titullar që do të luajë të shtunën. Mirëpo, ashtu siç ishte paralajmëruar në fillim të seancës, 4 lojtarët e pezulluar, Mehmeti, Martinena, Orelesi e Bonani, por edhe Teqja janë larguar nga ky test, duke i lënë në stol. Trajneri Duro u ka thënë: “Rrini e pushoni”. Ai e ka zhvilluar këtë ndeshje kontrolli me lojtarët e mbetur në grup.

A.Dushku

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"