Zguro shpërthen në lot pas të kuqit, zv. ministri “selfie” me bluzinjtë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 20, 2017 | 9:54

Zguro shpërthen në lot pas të kuqit, zv. ministri “selfie” me bluzinjtë

– Me çanta të hedhura në shpinë dhe kokulur, futbollistët bardheblu kanë hyrë në fushën e lojës për t’u njohur me terrenin, ndërkohë që trajneri Josa, i vetëm me cigaren e zakonshme, ka hyrë i fundit në fushë.

– Të parët që kanë shkelur në tapetin e blertë të stadiumit “Gjirokastra” ishin futbollistët e Tiranës, të shoqëruar nga trajneri Mirel Josa.

luftetari tirana

– Teksa futbollistët zbrisnin nga autobusi, njëri prej tifozëve të Luftëtarit i është drejtuar trajnerit Mirel Josa me këto fjalë: “Josa, për ato që ke bërë në Korçë kam respekt, pas ndeshjes të ftoj për një fotografi”.

– Të pranishëm në tribunën VIP ishin presidentët e të dyja skuadrave, Grigor Tavo dhe Refik Halili.

– Në pushimin mes pjesëve në tribunën VIP u ul dhe zv.ministri i Punëve të Brendshme, Stefan Çipa. Ish-presidenti i Butrintit, Çipa pas ndeshjes ka ndarë batutat me ish-futbollistët sarandjotë, Oltion Rrapa, Vangjel Zguro dhe Albano Aleksi kur u është drejtuar me thënien: “Kam ardhur vetëm për t’ju parë juve”. Në fund nuk munguan as fotot mes tyre.

– Në të 18-ën minutë nuk ka munguar thirrja e një tifozi, që i drejtohej Liçajt: “Ej, Babi kërce”.

– Në të 21-ën Josa i drejtohet Moises: “Shko ti te Lika dhe jo të tjerët”. Është momenti kur Lika ekzekuton goditjen e parë të dënimit, që përfundoi në duart e portierit Ruçi.

– Në momentin e daljes nga fusha të Eri Lamçes, trajneri Milinkoviç e ka puthur në kokë autorin e golit të parë.

– Mungesa e Takut në fushë nuk mund të shoqërohej pa humorin e gjirokastritëve ku një prej tyre shprehu: “O Josa kot e ke, fute Takun në lojë”.

– Kur Zguro u ndëshkua me të kuq, shpërtheu në lot. “Nuk u ndjeva mirë, u mërzita që dola nga fusha. Ndërhyra keq, por nuk ishte momenti për kartonin e kuq”, tha lojtari.

– Pas përfundimit të intervistave, trajneri Milinkoviç ka takuar presidentin Grigor Tavo. Ata konsumuan kafen bashkë pas kësaj fitoreje qetësie të tij.

– Në përfundim të takimit, kur futbollistët e Luftëtarit dolën nga ambientet e stadiumit, të pranishmit e shumtë kanë ndarë emocionet me futbollistët duke i kujtuar Liçajt këngën “Ku ka si Tirona”.

– 3200 spektatorë ishin të pranishëm në fitoren e djeshme të Luftëtarit.

– Gjyqtarët e takimit, me në krye Juxhin Xhajën, janë kontestuar me vërshëllima prej tifozëve të Luftëtarit.

– Nuk mund të mungonin dhe ovacionet e fitores nga tifozëria e Luftëtarit, e cila për më shumë se 10-15 minuta ishte prezente pas përfundimit të takimit.

– Ilion Likën jemi mësuar që ta shohim me numrin 1 në fanellë, por dje mbante 77-ën. Në mungesë të kapitenëve dhe zv.kapitenëve, shiritin dje e mbajti pikërisht portieri.

– Karabeci kishte udhëtuar me ekipin në Gjirokastër. Edhe pse nuk ishte as në stol, ai u pa që të bënte vrapime para ndeshjes.

TOMOR SHEHU

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"