Zgjohet Interi, rigjen buzëqeshjen në Verona

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 12, 2015 | 9:46

Zgjohet Interi, rigjen buzëqeshjen në Verona

InteriTre gola të shënuar dhe asnjë të pësuar. Interi rikthehet te fitorja në mënyrën më të mirë të mundshme, duke mposhtur në “Bentegodi” Hellas Veronën e “ish”-it Mandorlini. Skuadra e Mançinit u tregua cinike dhe mjaft inteligjente, pasi goditi kundërshtarët me kundërsulme të shpejta. Ndërsa jo më pak habiti trajneri me zgjedhjet e bëra. Kësaj here, për të “inspiruar” dy sulmuesit (Ikardin dhe Palasion), Manço aktivizoi Hernanesin duke ulur në pankinë si Shaqirin dhe Kovaçiçin.

Gol dhe protesta – Pas dhjetë minutash “prezantim”, formalizmat u zhdukën. Mjaftoi një zbritje e D’Ambrozios për të ndezur gjithçka. Taksidis, në tentativë për të frenuar italianin, humbi ekuilibrin dhe u rrë- zua, duke pësuar dëmtim në kofshë. Në atë çast, mbrojtja veroneze mendoi se rivalët do të nxirrnin topin jashtë, por ndodhi e kundërta. Topi i kaloi Palasios, i cili e futi në qendër aty ku Ikardi e kishte lojë fëmijësh për të shtyrë në portë. “Bentegodi” oshtin nga vërshëllimat, pasi publiku kontestonte zikaltrit për mungesë “fair play”. Ndërsa Mandorlinin në pankinë nuk e zinte vendi (nuk kuptohej nëse e kishte me zikaltrit, apo me të tijtë, të cilët u treguan shumë naivë).

Të pezulluar – Fraksioni i parë i ndeshjes ishte mjaft i vështirë për zikaltrit, pasi nga njëra anë ishin në rrugën e drejtë për të marrë të tria pikët, ndërsa nga ana tjetër humbën lojtarë të rëndësishëm për derbin e javës që vjen. Kështu, Brozoviç, pasi rrezikoi që të shënonte gol, mori një karton të verdhë që e “përjashtoi” nga dueli me Milanin. Të njëjtin fat pati edhe Gruarin, i cili ashtu si kroati rrezikonte të mos sfidonte “djallin” nëse “zverdhej”.

Prezent – Fillimi i pjesës së dytë ishte pozitiv për zikaltrit, të cilët siguruan fitoren pas një aksioni model. Guarin rikuperoi topin për t’ia pasuar Ikardit, i cili pa u menduar e fut në zonë aty ku ndodhej Palasio që nuk fal dhe dërgon miqtë në avantazh të dyfishtë, 2-0. Prej atij episodi, Hellas Verona nxori “kokën” në sipërfaqe dhe nisi të sulmonte me vendosmëri. Obadit dhe Morasit iu mohua goli nga “Handa”. Ndërsa Interi ishte i pafat, pasi një tjetër zbritje e D’Ambrozios i dha mundësi Palasios të godiste, por kësaj here argjentinasi u ndal nga shtylla. Mandorlini vendosi të aktivizojë Grekon dhe Saviolën dhe Hellasi merr më shumë “jetë”. Nga një inkursion i Grekos, i cili u frenua në zonë me faull nga Vidiç, lind edhe penalltia e humbur prej Tonit. Aty Verona e kuptoi se nuk ishte mbrëmja e saj, ndërsa Interi vazhdoi t’i përgjigjej me kundërsulme. Pas zbritjes së radhës, zikaltrit gjetën edhe golit e tretë: D’Ambrozio futi në zonë një kros që u kthye në gol nga Moras. Një ndeshje e luajtur me grintën e duhur, riktheu Interin te fitorja pas 7 takimesh

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"