“Zgjohet” Elbasani, nisin kontaktet me lojtarët vendës

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 12, 2019 | 16:30

“Zgjohet” Elbasani, nisin kontaktet me lojtarët vendës

E ardhmja e Elbasanit në Kategorinë e Parë nuk është shpresëdhënëse. Gjasat janë për një ekip vetëm sa për mbijetesë, që gjithsesi nuk i duhet lënë rastësisë dhe duket sikur drejtuesit verdheblu kanë nisur punën, edhe pse jo zyrtarisht. Gazeta mëson se drejtuesit e Elbasanit kanë filluar të bëjnë bisedat e para me futbollistët për t’i afruar më pas në skuadër.

Elbasani

Nuk mund të flitet për kontrata për momentin, por e rëndësishme është që ka nisur të lëvizë diçka në këtë aspekt. Burime të gazetës pohojnë se janë kontaktuar lojtarët elbasanas, që janë aktualisht pa skuadër dhe që ndodhen në qytetin e Elbasanit. Bëhet fjalë për biseda sporadike, por është lënë një derë e hapur, nëse situata do të ndryshojë në klub para nisjes së kampionatit. Sidoqoftë, ajo që duhet pranuar, ka të bëjë me faktin se biseda apo kontakte të këtij lloji janë shumë pak për Elbasanin.

Ekipet e tjera kanë ecur përpara në këtë drejtim. Deri tani, nga verdheblutë janë larguar “jabanxhinjtë” që ishin pjesë e skuadrës edicionin e kaluar, ndërsa elbasanasit ende qëndrojnë në pritje të ndonjë zhvillimi konkret. Teksa po i afrohemi mesit të muajit korrik, nuk është caktuar ende asnjë datë për nisjen e përgatitjeve.

Vladimir Mema

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"