“Zgjohet” Burreli, klubi rikthen Gjonin në pankinë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 24, 2019 | 23:20

“Zgjohet” Burreli, klubi rikthen Gjonin në pankinë

Pas zyrtarizimit të administratorit të ri të Burrelit, Bajram Ballabani, dje është bërë edhe emërimi i trajnerit të ri. Ekipi matjan i është besuar Vladimir Gjonit, një njohje e vjetër që e ka drejtuar disa herë Burrelin.

vladimir-gjoni

Në vitet e fundit ai ka qenë trajner i Egnatias dhe Besëlidhjes së Lezhës. Burime pranë klubit matjan i thanë dje gazetës se tashmë me zyrtarizimin e emrit të trajnerit të ri, do të nisë edhe grumbullimi i skuadrës. Seancat stërvitore pritet të startojnë më 25 Korrik në Pezë-Helmes.

Pritet që trajneri Gjoni të ketë në dispozicion disa futbollistë, të cilët do të testohen. Ende nuk dihet numri i lojtarëve të cilët janë ofruar zyrtarisht te Burreli, por me nisjen zyrtare të stërvitjes, do të ketë konfirmime nga klubi.

Kësisoj, do të zyrtarizohen edhe të larguarit nga skuadra matjane, pikërisht sa u përket lojtarëve që luajtën sezonin e kaluar. Gjithsesi matjanët sapo kanë nisur merkaton dhe synojnë ndërtimin e një ekipi i cili pritet jo vetëm t’i bëjë ballë të Parës, por të synojë vendet e nderit. Gjithçka do të varet nga buxheti në dispozicion.

D.KURTI – PANORAMASPORT.AL

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"