“Zgjohet” Apolonia/ Skuadra fierake përforcon mesfushën, firmosin dy lojtarë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 19, 2022 | 12:19

“Zgjohet” Apolonia/ Skuadra fierake përforcon mesfushën, firmosin dy lojtarë

“Zgjohet” Apolonia. Pak ditë para ri fillimit të Kategorisë së Parë, vijnë afrimet e para për bardhejeshilët. Seanca e djeshme ka sjellë zhvillime të rëndësishme në merkato.

sidibe berberi

Juri Kanarsa do të ketë në urdhra dy mesfushorë më shumë dhe bëhet fjalë për Elvis Kovaçin dhe Kevi Berberin. I pari u largua pak ditë më parë nga Vora dhe është bindur që t’u bashkohet bardhejeshilëve për pjesën e mbetur të sezonit.

I dyti vjen nga Dinamoja, atje ku nuk gjeti shumë hapësirë dhe ka menduar që të bëjë këtë zgjedhje. Klubi e ka nisur me repartin ku pati firo, ndërsa kujtojmë se pak ditë më parë u largua Skerdilajd Levendi.

Të dy lojtarët kanë zbritur menjëherë në aneksin e stadiumit “Loni Papuçiu”, për të marrë ngarkesën e plotë stërvitore dhe tentojnë që të fitojnë një vend në 11-she për ndeshjen e fundjavës me Erzenin. Ata konsiderohen si përforcime të rëndësishme në mesfushë, duke ditur problemet e fierakëve në krijimin e aksioneve.

Gara për bardhejeshilët nis me dy transferta aspak të lehta, njëra më e rëndësishme se tjetra. Edhe pse renditja dhe pikët nuk i favorizojnë fort, ata do të luftojnë deri në fund për objektivin sezonal.

KOVAÇI

Elvis Kovaçi konfirmoi “divorcin” me Vorën edhe në rrjetet sociale. Mesfushori nuk e ka pasur të lehtë largimin, por është gati për të nisur një tjetër sfidë.

“Aventura ime me Vorën mbyllet këtu. Kanë qenë 2 vite të bukura, ku kam kaluar kohë të lumtura, por edhe ditë të trishtuara. Megjithatë, mësova shumë për veten time, duke u bërë çdo ditë një lojtar i mirë dhe një njeri i mirë.

Tani ka ardhur koha për të ecur më lart. Sigurisht që do të më mungojnë shumë shokët e skuadrës sime. Do të më mungojë i gjithë stafi dhe drejtuesit.

U jam mirënjohës që më bënë pjesë të historisë së këtij klubi. Falënderimet e mia shkojnë për të gjithë ju. Zoti ju bekoftë!”, përfundoi 23-vjeçari.

apo

HILMI SALIU – PANORAMASPORT.AL

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"