Zgjodhi të vazhdojë me Bajernin, Roben: Mora vendimin më të mirë të jetës

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 23, 2018 | 21:26

Zgjodhi të vazhdojë me Bajernin, Roben: Mora vendimin më të mirë të jetës

Arjen Roben rinovoi në muajin prill edhe për një sezon tjetër. Holandezi zgjodhi të vazhdojë aventurën me skuadrën bavareze edhe pse kishte oferta nga klube të tjera jashtë skuadrës. Ai është heroi i “Uembley”-t në sezonin 2012, me golin në minutat e fundit, që i dha trofeun e Champions-it Bajernit në finalen ndaj Borusias së Dortmundit. Tani Arjen flet për vendimin që mori në lidhje me të ardhmen e tij dhe për objektivat e skuadrës kampione. Gjithashtu, ai komentoi edhe kampionatin gjerman për të cilin mendon se është rritur shumë dhe renditet te më të mirët në Europë.

roben

Të premten është sfida e parë ndaj Hofenhaimit, jeni të emocionuar edhe pse jeni lojtar me provojë?

Sigurisht që po. Bundesliga është shumë e veçantë, kemi 34 ndeshje shumë interesante përpara nesh. Tani të krijohet një ndjesi në stomak dhe kjo është diçka e mirë. Jam i gëzuar që do të fillojmë nga puna.

Si ju duket skuadra pas këtyre muajve përgatitje?

Jemi në rrugën e duhur, skuadra është përmirësuar ndjeshëm. Nuk kemi shumë që jemi të gjithë së bashku, disa nga titullarët u bashkuan me ne në “Tegernesee”. Do të punojmë për të përmirësuar diçka, pasi skuadra ka nevojë të rritet. Por besoj se jemi gati për ndeshjen e parë ndaj Hofenhaimit.

Sa e njihni kundërshtarin?

Mendoj që do të jetë një ndeshje shumë e vështirë. Nuk do të jetë një shëtitje për ne, ata janë një skuadër shumë e mirë dhe po kalojnë një moment pozitiv, kjo pasi kanë arritur të futen në Champions dhe humori është shumë i lartë. Në ndeshjen e kupës ata fituan pastër, 6-1. Duhet të sulmojmë nga minuta e parë për të arritur atë që duam, tri pikët. Duam ta nisim në mënyrën më të mirë kampionatin.

Tani ju po luani sezonin e dhjetë me Bajernin, e kishit menduar që do të qëndronit kaq gjatë?

Nuk mendoja që do të isha këtu kaq gjatë. Dhe pse dija që ekzistonte dhe mundësia për të luajtur përjetë këtu. Jam një njeri realist dhe e di se si funksionojnë gjërat në futboll. Kur u transferova nga Holanda, isha vetëm 20 vjeç dhe më pas shkova në Angli dhe Spanjë. Kur erdha nga Reali isha skeptik, por tani mendoj që ai ishte vendimi më i mirë i jetës sime.

Këtë sezon do të luani për herë të parë pa Hamburgun, por me Dyseldorfin, si ndiheni?

Në Hamburg ka qenë gjithmonë diçka e veçantë të luaje, është një qytet i bukur, me një stadium të bukur. Është për të ardhur keq që ata nuk do të jenë pjesë e Bundesligës. Për Dyseldorfin kam dëgjuar fjalë të mira, gjithashtu për Nurenbergun, ku kam luajtur në të shkuarën dhe tani do ta bëj sërish.

Si ju duket Bundesliga në krahasim e kampionatet e tjera?

Për mua kampionati gjerman renditet te më të mirët. Këtë mund ta shohësh edhe në ndeshjet miqësore kur skuadrat gjermane kanë luajtur dhe fituar ndaj atyre italiane apo angleze. Edhe pse personalisht mendoj që kampionati spanjoll dhe anglez hyjnë te më të fortët në botë. Bundesliga është bërë shumë tërheqëse në vitet e fundit dhe tifozët janë të shumtë në shkallët e stadiumit. Edhe në këtë sezon besoj se do të shohim një kampionat me rivalitet, ndaj duhet të japim gjithçka për të fituar sërish.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"