Zgjidhet ngërçi tek Erzeni, klubi shijakas shlyen me 4 paga lojtarët që mbyllën sezonin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 12, 2022 | 10:56

Zgjidhet ngërçi tek Erzeni, klubi shijakas shlyen me 4 paga lojtarët që mbyllën sezonin

Ringjallet Erzeni. Ngërçi te klubi i Shijakut është duke u zgjidhur.

Erzeni festa

“Panorama Sport” mëson se lojtarët që mbyllën sezonin e kaluar janë shlyer të gjithë. Ata kanë qenë dje në Shijak dhe kanë marrë secili nga 4 paga mujore, që klubi i ka pasur si detyrim të prapambetur.

Gjithçka ka ndodhur në prani të kryebashkiakut, donatorëve të ekipit dhe trajnerit të ri, Xhevair Kapllani.

Sa i përket ekipit, pesë lojtarët që janë nën kontratë, si Dritmir Beci, Xhuljo Mehmeti, Ersil Ymeri, Fadil Meta dhe Albi Xhabrahimi pritet të qëndrojnë në ekip edhe për sezonin e ri.

Ndërsa pjesa tjetër e lojtarëve që kanë dalë të lirë, do të kenë një bisedim me klubin duke nisur nga dita e hënë, duke marrë edhe mendimin e trajnerit të ri Kapllani, nëse dikush do të jetë në dëshirat dhe planet e tij.

PËRFORCIMET – Ndërkohë, jo vetëm lojtarët aktualë, por Erzeni ka filluar të mendojë për kompletimin e grupit dhe lojtarët që do të afrohen për të përballuar një nivel si ai i Superiores dhe për momentin, në skenë kanë dalë edhe disa emra. Në Shijak bëjnë me dije se kanë arritur akordin me disa lojtarë, duke nisur nga porta në sulm.

Kështu, nga sa bëhet e ditur, porta do t’i besohet Jasmin Agoviçit, ish-portier i Vllaznisë në sezonin 2016-2017 në Superiore. Agoviç është nga Mali i Zi dhe një portier i spikatur.

Eksperienca nuk i mungon që të japë kontributin për katërkëndorin shijakas në elitë. Por jo vetëm ai, pasi po përforcohet mesfusha dhe sulmi.

Drejtuesit kanë hyrë në tratativa me klubin e Apolonisë për të marrë në formë huazimi një nga lojtarët e dalluar në pjesën e dytë të sezonit te fierakët. Fjala është për mesfushorin me tipare sulmuese, Elvis Kovaçi, që më parë ka qenë edhe pjesë e Vorës dhe Korabit në Kategorinë e Parë.

Ndërkohë që nga Superiorja është një tjetër element për sulmin dhe bëhet fjalë për Mario Beshirajn, që ka qenë pjesë e skuadrës së Tiranës.

Beshiraj tashmë është në kulmin e karrierës dhe kërkon të shpërthejë duke pasur më shumë hapësira, që mesa duket, do t’i gjejë në Shijak.

ERJON SALIU – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"