Zgjidhet konflikti me të pezulluarit, Donjet Shkodra me kontratë të re

Panorama Sport | Gazeta me e shitur sportive ne vend

Postuar: Shtator 7, 2018 | 14:24

Zgjidhet konflikti me të pezulluarit, Donjet Shkodra me kontratë të re

Mbas një konflikti rreth 2-javor midis Kukësit dhe Donjet Shkodrës më në fund ka ardhur dhe pajtimi mes palëve. “Panorama Sport” zbuloi e para penalizimin e lojtarit dhe mbajtjen e 30 për qind të rrogës për shkak të paraqitjes në Kupat e Europës, specifikisht në dy takimet ndaj Torpedos.

Shkodra

Më pas, Shkodra u nxor jashtë planeve nga klubi dhe u “dëbua” te Kukësi B. 29-vjeçarit iu kërkua ulja e rrogës me 50 për qind, të cilën ai e refuzoi kategorikisht. Pas këtij fakti, drejtuesit i kërkuan largimin, propozim që sërish u refuzua nga lojtari. Ai kërkoi që nëse do largohej, palët të binin dakord për dëmshpërblimin, gjë që klubi nuk e pranoi. Në këto kushte, ku klubi nuk mund t’i bënte asgjë Shkodrës, pasi kontrata e tij ishte “blinduar”, pasi nëse Kukësi e largon pa vullnetin e palëve, pra i prish kontratën në mënyrë të njëanshme, atëherë ishte i detyruar t’i paguante Shkodrës 14 rroga, me nga 7 mijë euro në muaj. Më pas erdhi “hakmarrja” e radhës e klubit, ku këta të fundit e nxorën dy herë në ditë stërvitje lojtarin me trajner personal. Plus stërvitje me ekipin B e mosmarrje pjesë në asnjë ngjarje apo veprimtari të ekipit të parë. Duke qenë se afatet e merkatos përfunduan, si dhe duke ditur potencën dhe rëndësinë e Shkodrës në ekip, klubi reflektoi duke u ulur me lojtarin, me qëllim që të gjenin gjuhën e përbashkët.

ZGJIDHJA E KONFLIKTIT – Gazeta e lajmëroi më 5 shtator se Shkodra dhe Ethemi do të faleshin nga klubi dhe do të riktheheshin në ekipin e parë. Ashtu dhe ndodhi, ku dje të dy futbollistët u vendosën nën urdhrat e trajnerit Cungu, i cili ka dhënë “OK”-in për t’i pasur në ekip, sidomos Shkodrën. Po si u zgjidh ngërçi midis Kukësit dhe Shkodrës? Gazeta mëson ekskluzivisht se lojtari ka firmosur një kontratë të re me Kukësin deri në muajin dhjetor, në përfundim të së cilës palët do të lirohen nga njëri-tjetri. Shkodra ka pranuar një ulje të lehtë page. Pra, nga 7 mijë euro që merrte do të përfitojë afro 5500 euro, shto këtu edhe bonuset. Me këtë “pakt” mbyllet një nga çështjet më të nxehta që pati Kukësi gjatë kësaj vere.

ethemi

KTHEHET EDHE ETHEMI

Tek ekipi i parë i Kukësit rikthehet dhe Valon Ethemi, i cili u bë çështje në radhët e klubit verilindor. Lojtari u penalizua me dy ndeshje nga trajneri Cungu, për shkak se nuk shkoi një ditë në stërvitje para ndeshjes me Flamurtarin. Kjo gjë nuk i ka pëlqyer trajnerit, i cili nuk e fali gabimin e 20-vjeçarit. Ethemi e mbaroi dënimin, pasi shleu dy ndeshjet pezullim, ndaj Flamurtarit e Tiranës. Sakaq, drejtuesit pritën një falje prej tij, e cila erdhi dhe çdo gjë u kthye si më parë. Ethemi ka dhe 2 vite kontratë me Kukësin. 20-vjeçari ka pasur më parë problematikën e rrogës, ku nga 400 mijë lekë të vjetra atij iu rrit në 1 milion. Rritja u bë mbas kërkesës së lojtarit mbas Kupave të Europës. Dje lojtari është përgatitur normalisht me ekipin e parë.

MIQËSORE

Kukësi nën drejtimin e trajnerit Armando Cungu e ka shtuar dozën stërvitore dhe me rikthimin e Shkodrës dhe Ethemit skuadra konsiderohet më e plotë. Në kuadër të përgatitjeve për sfidat e radhës pritet që të luajnë sot një ndeshje miqësore, ku përballë do të jetë ekipi B, që militon në Kategorinë e Dytë. Më 12 shtator luajnë ndeshjen e parë në Kupë përballë Orikumit, ndërsa në kampionat i pret sfida e javës së katërt në transfertën e Durrësit, ku shpresohet suksesi i radhës.

Skerdilaid Sulozeqi






www.minuta90.com