Zgjidhen mosmarrëveshjet, ish-mbrojtësi i Laçit rikthehet te Tomori

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 4, 2022 | 14:32

Zgjidhen mosmarrëveshjet, ish-mbrojtësi i Laçit rikthehet te Tomori

Mbrojtësi laçian i Tomorit, Endrit Marku, ka lënë pas krahëve disa mosmarrëveshje me drejtuesit e klubit beratas dhe i është bashkuar skuadrës në stërvitje.

tomori

Para se të niste sezoni, mes lojtarit dhe klubit kishte një ngërç për kontratën dhe kjo i kushtoi edhe mungesën në një pjesë të konsiderueshme të kësaj faze në kampionat.

Marku konsiderohet një nga pikat më të forta të Tomorit, së bashku me Shaqen dhe Hidën, të cilët janë titullarë fiks te beratasit.

Në vazhdim të kampionatit pritet rikthimi si titullar i laçianit, gjë që do t’i japë akoma më shumë siguri repartit të prapavijës.

Sezonin e kaluar Marku ka treguar në fushë se ka qenë pa diskutim një nga shtyllat e mbrojtjes së Tomorit.

Në ndeshjen e radhës në kampionat ndaj Flamurtarit, stafi teknik e ka projektuar Markun si titullar dhe kjo do të jetë ndeshja e parë gjatë këtij kampionati, që e rikthen në fushë titullar.

Por për numrin dy të pankinës beratase Polizoi Arbëri, aktivizimi i Markut në formacionin e Tomorit nuk përbën aspak një surprizë.

“Vlerat e tij njihen mjaft mirë dhe të gjithë e presim të luajë në nivelin më të lartë, sikur ka spikatur edhe në sezonin e kaluar në radhët e Tomorit.

Me rikthimin e tij dhe me formën që po tregojnë Shaqe dhe Hida, por gjithashtu me portierin Boje, mund të themi se reparti i prapavijës te Tomori ka fituar siguri maksimale. Për këtë arsye e vlerësojmë si shumë të rëndësishëm rikthimin e Markut, që jep edhe më shumë siguri për vazhdimësinë”, deklaroi për gazetën numri dy i pankinës.

EDI SPAHIU – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"