Zgjerohet sherri, Mançini ka 6 në shënjestër

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 23, 2015 | 10:14

Zgjerohet sherri, Mançini ka 6 në shënjestër

mancini ikardiNë fund të fundit, tri ndeshjet pezullim që u dhanë për Felipe Melon ishin e keqja më e vogël për Interin këto ditë. Edhe një herë zikaltërve, të cilët kryesojnë tabelën e klasifikimit, do t’u duhet që të kalojnë një tjetër situatë të vështirë të krijuar po prej tyre. Edhe pse asgjë nuk është kompromentuar tërësisht, Roberto Mançini dhe eprorët e tij do ta kenë të vështirë të normalizojnë situatën.

Nervat e zbuluar – Disfata me Lacion “zbuloi” spiunët në dhomat e zhveshjes dhe tregoi ekuilibrin e brishtë në grupin “e zgjeruar” zikaltër. Për një ekip që njeh vetëm tre titullarë fiks është normale që të ketë shumë pakënaqësi. Për këtë motiv, detyra e Mançinit që tani e tutje do të jetë mjaft e vështirë.

6 në shënjestër – Edhe pse nuk bëhen të ditur emrat, thuhet se Roberto Mançini kishte në shënjestër gjashtë lojtarë kur tha pas humbjes me Lacion se kishte pasur ndjesi të këqija që në fillim të duelit. Trajnerit nuk i ka pëlqyer aspak sjellja e disa futbollistëve gjatë seancës së nxehjes.

Mungesa e Tohirit – Momentalisht, Roberto Mançini është figura qendrore e Interit. 51-vjeçari është qendra e botës zikaltër. Vizitat e Erik Tohirit në Milano nuk mjaftojnë për të mbushur boshllëkun e krijuar. Interi ndryshe nga Milani apo Juventusi “mbrohet” vetëm prej trajnerit. Këtë fakt e tregon më së miri edhe komunikata e dy netëve më parë për mediat. Interi në reagimin që bëri në uebsajtin zyrtar citoi postimin e Manços në rrjetet sociale për të përgënjeshtruar prapaskenat e zbuluara nga “Gazzetta dello Sport”.

Paqja – Mediat italiane bëjnë me dije se për të vendosur paqen mes Mançinit dhe Jovetiçit është “vetofruar” Piero Auzilio. Drejtori sportiv zikaltër ka marrë përsipër detyrën e vështirë që për pesimistët është një mision i pamundur. Manço e ka treguar edhe më parë (me Tevezin te Siti dhe Osvaldon tek Interi) se nuk tërhiqet lehtë nga e vetja.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"