Zgjedhje të kushtëzuara te Flamurtari, Troisit ia “bën” formacionin … FIFA

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 24, 2020 | 10:26

Zgjedhje të kushtëzuara te Flamurtari, Troisit ia “bën” formacionin … FIFA

Përballë Skënderbeut si në Shkodër. Marcelo Troisi me shumë gjasa do të sajohet me formacionin e të martës edhe për ndeshjen e nesërme në Korçë. Ende nuk është ndezur drita jeshile për zhbllokimin e merkatos dhe kjo e bën situatën të turbullt në Vlorë, ndërsa braziliani është bërë me dhimbje koke. 

fLAMURTARI TROISI

Një dështim në ndeshjen e radhës me Skënderbeun do ta vështirësonte edhe më shumë situatën, ndërsa do ta fuste edhe më shumë në kolaps Flamurtarin. Plani i Troisit për shpëtimin e Flamurtarit kalon nga merkatoja e janarit, por për momentin gjithçka ka ngecur. Edhe pse në klubin vlonjat konfirmojnë se është bërë pagesa ndaj rumunit Kristian Sirgi, FIFA ende nuk po e zhbllokon sistemin me qëllim që të mundësojë federimin e lojtarëve.

flamurtari

Kështu, të gjitha gjasat janë që Bruno Lipi, Uelder Kosta, Flosard Malci, Indio Oliveira dhe Taje Taivo, të mos luajë dot në ndeshjen me Skënderbeun. Mbetet tashmë për t’u parë se çfarë do të rezervojë dita e sotme, nëse do të hapet apo jo sistemi i federimit. Burime pranë FSHF bënë me dije dje për “Panorama Sport” se për Flamurtarin merkatoja vijon të jetë ende e bllokuar.

ALTERNATIVAT – Në kushtet kur FIFA ende nuk po ia zhbllokon merkaton Flamurtarit, ekipi me shumë gjasa do të rreshtohet si në ndeshjen e kaluar të luajtur në Shkodër me Vllazninë. Kështu në portë do të jetë Moçka. Mbrojtja do të përbëhet nga Gocaj dhe Muçollari, ndërsa duke qenë se Pjeshka është dënuar nga Disiplina, pritet që të zgjidhet një nga të rinjtë. Në mesfushë Haruni, Rrapaj, Vrapi, Nebihu, Kreshpa dhe sulmi nga Hoxhaj, Ribaj. Në seancën e djeshme stërvitore, trajneri Troisi i ka bërë llogaritë me këtë formacion.

Flamurtari4

Dy mungesa me shumë gjasa do të jenë të sigurta. Sulmuesi Xhevahir Sukaj dhe mbrojtësi grek Jorgos Sarris priten që të mos jenë gati as për këtë ndeshje. Ndërkaq, stoli i Flamurtarit, për takimin e radhës do të përbëhet nga lojtarë të rinj dhe të akademisë. Kështu në dispozicion të trajnerit Troisi do të jenë si lojtarë rezervë në mbrojtje Vangjel Gjipali, në mesfushë Romedi Llapi dhe Reinaldo Mukoj dhe në sulm Arbion Balilaj, Amarildo Elmazaj dhe Altjon Kadriaj. Mbetet tashmë për t’u parë sot se çfarë do të ndodhë, e ndikuar kjo edhe nga zhbllokimi ose jo i merkatos.

/PANORAMASPORT.AL/

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"