Zgjedhje politike në FSHF, klubet përçahen me donatorët për votën

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 17, 2018 | 22:19

Zgjedhje politike në FSHF, klubet përçahen me donatorët për votën

E drejta për të votuar, ndërhyrje, konflikte dhe dorëheqje. Zgjedhjet e 7 shkurtit për numrin një të institucionit të futbollit shqiptar janë një siklet më vete për shumë drejtues klubesh. Dihet tashmë që 61% e skuadrave administrohen nga bashkitë, edhe pse në disa prej tyre mund të ketë sponsorë apo edhe aksionerë mazhoritarë. Mirëpo, të drejtën e votës, në shumicën e skuadrave që kanë edhe donatorë, duket se kanë marrë në dorë kryebashkiakët.

Lufta sapo ka nisur dhe natyrshëm zgjedhjet po konfirmojnë gjithnjë e më tepër se do të kenë ndikim të fortë politik. Kur duhen edhe 21 ditë nga asambleja zgjedhore ka pasur tri precedentë, ku dukshëm në lojë janë futur interesat dhe, mbi të gjitha, propozimet që duhet të bëjnë klubet për kreun e ri të FSHF-së. Për momentin, më dukshëm është shfaqur problematika në klube si Iliria, Korabi dhe Veleçiku.

Asambleja 1

ILIRIA – Sinjali i parë erdhi nga Fushë-Kruja. Klubi i Ilirisë, që deri dy vite më parë administrohej në varësinë e Bashkisë Fushë-Krujë, me ndarjen e re administrative, fondin duhet ta marrë nga Bashkia e Krujës. Prej 6 vitesh, administrator i klubit ka qenë Gjoni Bardhi, njëkohësisht edhe kryebashkiak i Fushë-Krujës në mandatin e kaluar. Më 9 janar, Bardhi njoftoi për dorëheqjen, por duke anashkaluar faktin se ikën në prag të zgjedhjeve, duke dhënë si arsye një tjetër motiv. “Rezultatet e fazës së parë më bënë të merrja këtë vendim”, ka thënë Bardhi. Nuk dihet tashmë nëse ky i fundit do të ketë të drejtë vote.

KORABI – Klubi dibran u përfol se kishte propozuar për kreun e FSHF-së presidentin aktual, Armando Duka. Mirë- po, dy ditë pas përhapjes së lajmit, administratori Fehmi Mëziu e përgënjeshtroi duke konfirmuar se kjo është e drejtë e Bashkisë së Peshkopisë dhe më konkretisht kryetarit të saj, Muharrem Rama. Ky i fundit do të votojë më 7 shkurt dhe jo Mëziu, për të cilin u mendua duke qenë se është administrator.

VELEÇIKU – Klubi i Veleçikut ka mbetur pa administrator. Shpëtim Halaj ka dhënë dorëheqjen dhe, me sa duket, shkaku është se nuk do të ketë ai të drejtën e votës më 7 shkurt, por kryebashkiaku Marinaj. Në këto kushte, duket se ndarjet politike e kanë lënë klubin në një kaos të madh, edhe pse pjesën e parë të sezonit Veleçiku e mbylli si kryesues.

OLSI TUJANI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"