“Zëvendësova kolosin Vangjeli”, flet Jorgo Meksi: Mrekulli nëse arrij Europën me Skënderbeun

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 27, 2019 | 21:20

“Zëvendësova kolosin Vangjeli”, flet Jorgo Meksi: Mrekulli nëse arrij Europën me Skënderbeun

Skënderbeu duket se është përfshirë në vorbullën e dëmtimeve të njëpasnjëshme që nuk po e lënë të qetë në përgatitjen e ndeshjes kundër Vllaznisë.

jorgo meksi

Megjithatë, korçarët janë të përqendruar vetëm te takimi i radhës që do të luhet këtë fundjavë në Shkodër. Një ndeshje ku bardhekuqtë do të kërkojnë vijimësinë dhe marrjen e tri pikëve të radhës për të qëndruar ngjitur me kreun e klasifikimit.

Pavarësisht situatës, korçarët duken të bindur për të vijuar me një tjetër sukses. I tillë është mendimi i Jorgo Meksit, mbrojtësit bardhekuq, që ka zënë vendin e Vangjelit në krahun e djathtë të prapavijës. Paraqitjet për 23-vjeçarin deri tani kanë folur pozitivisht, duke bërë që “gropa” e lënë nga Vangjeli në këtë sezon të mos ndihet aq shumë.

Në prononcimin e dhënë për “Panorama Sport”, Meksi flet me superlativa për ambientin bardhekuq dhe për harmonizimin me grupin. “Erdha te Skënderbeu pasi kisha dëgjuar dhe ndjekur ecurinë fantastike që ky ekip ka bërë në Europë. Të them të drejtën, nuk kam hezituar në asnjë moment, pasi jam kontaktuar nga klubi bardhekuq sapo kisha mbyllur provën në një ekip tjetër. Me të ardhur këtu, jam ndierë i mirëpritur nga të gjithë dhe kjo më ka bërë që të punoja që ditën e parë i qetë dhe në një ambient familjar. Normalisht që detyra ime ishte e vështirë, pasi duhet të mbuloja një pozicion që më herët e kishte pasur një ‘kolos’ si Kristi Vangjeli, por ndryshe nga sa e kisha menduar, kjo më motivoi më shumë për të dhënë maksimumin tim”, theksoi fillimisht Meksi.

ECURIA DHE PRITSHMËRITË

Mbrojtësi i krahut të djathtë më pas u ndal edhe tek ecuria e ekipit në këto javë, por bëri edhe një koment të shkurtër në lidhje me situatën në të cilën ndodhet ekipi dhe pritshmëritë për të ardhmen.

“Kampionatin e kemi nisur disi në vështirësi pasi shokët më kanë thënë se përgatitjet i kanë filluar shumë vonë për shkak të pritjes së gjatë të vendimit të KAS-it. Kjo normalisht ndikoi edhe në performancën tonë në këtë fi ll imsezoni. Tashmë gjithçka është më e qetë, pasi forma është në rritje e sipër dhe rezultatet po vijnë pak e nga pak. Fitorja e fundit me Teutën na dha më shumë motivim pasi na bëri që të harrojmë ato dy humbje radhazi.

Do mundohemi të marrim maksimumin në çdo ndeshje në vazhdim, pasi jemi pranë kreut dhe pse jo të tentojmë të jemi deri në fund në garë për një nga vendet e para. Objektivat e klubit janë të qartë dhe duke parë arritjet e fundit, ato flasin vetë. Ne shpresojmë që sportivisht të arrijmë objektivin, e më pas të presim lajme të mira nga ana e Gjykatës Federale në lidhje me çështjen e pezullimit nga Europa. Do të ishte perfekte nëse vendimi do të vinte pozitiv dhe një emocion më shumë për mua që të bëhem pjesë e një kompeticioni të tillë”, përfundoi Meksi rrëfimin e parë si bardhekuq.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"