Zero pikë pas dy ndeshjeve, Kukësi identik si para shtatë viteve. Ja shkaqet e formës së dobët të verilindorëve

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 10, 2020 | 9:16

Zero pikë pas dy ndeshjeve, Kukësi identik si para shtatë viteve. Ja shkaqet e formës së dobët të verilindorëve

Pas dy javëve të para të kampionatit Kukësi mbetet skuadra e vetme në Kategorinë Superiore që shifrën zero e ka te pikët e grumbulluara dhe te golat e shënuar. Në start skuadra e Gegës është mundur nga rivalët direktë, Tirana dhe Partizani, me të njëjtin rezultat, 2-0. Me këtë start Kukësi rikthehet 7 vite pas në kohë duke arritur rekordin më negativ në dy javët e para, atë të sezonit 2013-2014, kur pikërisht në javën e parë Kukësi humbte 1-0 ndaj Lushnjës, më 31 gusht 2013 dhe më pas 0-3 në “Zeqir Ymeri” ndaj Vllaznisë. Ngjarje fikse, ku dhe në atë kohë verilindorët pësonin 4 gola dhe nuk shënonin asnjë, nuk merrnin asnjë pikë në dy takimet e para. Gjithashtu, edhe në sezonin e debutimit në Superiore, 2012-2013, Kukësi e niste me dy barazime: më 26 gusht 2012 Kukësi-Luftëtari mbyllej 0-0, ndërsa më 1 shtator 2012 verilindorët barazuan 0-0 me Vllazninë.
Kukesi5

SHKAQET E STARTIT NEGATIV
Shkaqet pse nënkampionët kanë këtë start negativ vjen si produkt i ndryshimeve të shumta që skuadra pësoi gjatë merkatos së verës. Duket që ekipit, edhe pse ka një trajner mjaft të mirë si Skënder Gega, do t’i duhet kohë që të gjejë ekuilibrin. Konkretisht, Kukësi është skuadra që ka ndryshuar më shumë gjatë merkatos së verës; ndryshimi në stafin teknik ku drejtimi iu besua trajnerit Skënder Gega, u pasua me 30 lëvizje lojtarësh, 16 në hyrje dhe 14 në dalje. Kështu që, Kukësi është bërë nga e para dhe këto ndryshime të shumta kanë dhënë ndikimin e tyre që në fillimin e kampionatit, pasi skuadra akoma nuk e ka gjetur harmonizimin. Lojtarët nuk e njohin mirë lojën e njëritjetrit, forma fizike e disa futbollistëve, si Gashi dhe Eze, akoma nuk është ajo e duhura.
kukesi
Një faktor tjetër i rëndësishëm janë edhe miqësoret, Kukësi kohët e fundit zhvilloi vetëm tri takime me Kukësin U-21 ku secili lojtar luajti nga 45 minuta. Nuk u zhvilluan takime miqësore me skuadra të tjera që mbas sherrit të ndodhur me Bylisin në Librazhd. Në datën 10 shtator Kukësi luajti me Bylisin në Librazhd, miqësore që pati tension të madh. Shkak për tensionin kanë qenë ndërhyrjet e rënda, që sollën edhe ndërhyrje të qëllimshme më pas. Në fushë zbritën edhe stafet e të dyja ekipeve për të qetësuar gjakrat. Ndeshja u ndërpre dhe që nga ajo ditë Kukësi vendosi të mos zhvillojë më teste miqësore me ekipe të tjera, me qëllim që të ruante futbollistët që mos të dëmtoheshin, ndaj u gjet zgjidhja alternative për t’u testuar me Kukësin B.

SKERDILAID SULOZEQI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"