Zero gola në 5 ndeshje, rikthehet Interi hermetik

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 7, 2020 | 9:43

Zero gola në 5 ndeshje, rikthehet Interi hermetik

Fitoret janë mënyra më e mirë për të mposhtur tensionet e polemikat dhe Interi duket ta ketë mësuar leksionin. Në një periudhë ku flitet vetëm për shfryrjen e Antonio Kontes dhe pikëpyetjet lidhur me të ardhmen e tij në Milano, zikaltrit kanë arritur të transferojnë në Europë atë që u pa në ndeshjet e fundit të kampionatit. Në çerekfinale dhe me një mbrojtje që nuk pëson më gol. Interi, në një pjesë që konsiderohet thelbësore për sezonin (Liga e Europës është trofeu i vetëm i mbetur), po shijon një “armë” të shtuar të Kontes.
lautaro inter
Skuadra zikaltër ka rritur nivelin e mbrojtjes: zero golat e pësuar në 4 ndeshjet e fundit të Serisë A kanë garantuar vendin e dytë pas Juventusit (me një pikë pas kampionëve), porta e paprekur në Gelsenkirshen kundër Getafes ka bërë të hidhet një tjetër hap drejt finales së Ligës së Europës.
handanovic
“SHËN” SAMIR – Siç tha edhe kapiteni Samir Handanoviç përpara sfidës kundër spanjollëve, Interi ka fituar grintë dhe golat nuk duan t’i pësojnë as mesfushorët, e jo vetëm mbrojtësit. Ndoshta është ky sekreti i një skuadre që në ndeshjet e para postkarantinës lejonte shumë në mbrojtje dhe shpërqendrohej atëherë kur duhet të mbyllte llogaritë dhe të siguronte fitoren. Handa është me siguri protagonisti i parë i kësaj kthese. Në Gjermani një pritje heroike pas vetëm 100 sekondash, dy të tjera më pak spektakolare, por megjithatë efikase në pjesën e dytë (ndaj Matës dhe Malinovskit) e më pas pati meritën që shtyu përtej limiteve Molinën te penalltia, duke e detyruar të anohej shumë në koordinim dhe të godiste jashtë. Ndër të tjera kush gjen “Shën” Samirin përpara në penalltitë europiane, dridhet: deri tani është në kuotën 4 nga 4 në karrierë pa pësuar gol, me tri goditje të pritura dhe e së mërkurës e gabuar. Jo keq.
de vraj
LIDER I RI — Mbrojtja, ku tashmë është e qartë që Shkriniar ka humbur terren në hierarkitë e Kontes, ndërkohë që De Vraj mbetet siguria e zakonshme, ka një Bastoni më shumë. 21-vjeçari i rritur në shtëpi, në kulmin e një sezoni të nisur si rezervë me shumë pritshmëri, po rezulton thelbësor edhe në nisjen e aksioneve. Me mesfushorët e asfiksuar nga presingu kundërshtar shpesh ka menduar ai të shërbejë sulmuesit me harkime të gjata dhe Getafe (por edhe Lukaku) do ta kujtojë gjatë asistin milimetrik (të parin si zikaltër) për golin e 1-0. Jo më pak i rëndësishëm shpëtimi i shtrirë përpara Handanoviçit te goditja në zonë e Matës në pjesën e parë. Një mbrojtje moderne: në Europë kështu vazhdohet.

LEDIO NASE – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"