“Zeqir Ymeri” kthehet në makth për kampionët, Kupa është shpëtimi i Kukësit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 12, 2018 | 20:19

“Zeqir Ymeri” kthehet në makth për kampionët, Kupa është shpëtimi i Kukësit

Kur pritej ringritja e Kukësit, e kundërta ngjau. Verilindorët bënë dy faza të para për t’u harruar (ku në 16 javë morën vetëm 25 pikë) dhe si rezultat erdhi shkarkimi i ish-trajnerit Mladen Milinkoviç. Presidenti afroi Peter Pakultin në stol, ishlojtar i Kombëtares austriake dhe ish-trajner kampion me Rapidin e Vjenës. “Gjenerali” e nisi mbarë aventurën me Kukësin.

Zhvilloi një fazë përgatitore gati perfekte në Turqi, duke marrë edhe rezultate mbresëlënëse në miqësoret ndaj ekipeve elitare turke. Me të njëjtin ritëm nisi dhe Kategorinë Superiore, ku në ndeshjen e parë të vitit të ri me Vllazninë fitoi në Shkodër me rezultatin 1-3. Mandej erdhi Kupa e Shqipërisë dhe befasia ndodhi në barazimin 1-1 me Tiranën. Më të njëjtat shifrat barazuan në shtëpi me Flamurtarin dhe po në “Zeqir Ymeri” u thyen nga Kamza. Pra, problemi i Kukësit janë ndeshjet në shtëpi.

kukesi kamza

Duket se koha, që Kukësi ishte i pathyeshëm në “kështjellën” e vet, është sa e largët, aq dhe e afërt. Këtë vit, si kurrë më parë, kampionët kanë humbur 5 takime në shtëpi, një rekord negativ në vetvete, pasi disfatat e verilindorëve në shtëpi numërohen me gishtat e dorës për sezonet e shkuara. “Zeqir Ymeri” ka qenë një tmerr për kundërshtarët, por këtë vit Skënderbeu, Partizani, Lushnja, Luftëtari e së fundmi Kamza kanë dalë fitimtar. I fundit trepikësh, që vendësit kanë në Kukës, përkon me 16 tetorin e 2017-ës, ndaj Teutës 4-2, pra 4 muaj.

SHPËTIMI – Përtej humbjes ndaj Kamzës, e cila u ka “djegur” shumë verilindorëve, drejtuesit dhe trajneri duan kthesën e madhe dhe ajo kërkohet ndaj Tiranës duke kaluar më tej në Kupën e Shqipërisë. Tashmë që titulli është larg, Kupa e Shqipërisë shihet si shpëtim për ekipin dhe Pakultin. Ky i fundit, në fakt, nuk e ka përmendur asnjëherë fjalën titull qëkur ka ardhur, e duke ditur vështirësinë dhe duke njohur Skënderbeun me të drejtë. Kukësi do të fillojë përgatitjet sot për takimin e dytë ndaj Tiranës, e natyrisht që do të zhvillohet me detaje edhe analiza për humbjen ndaj Kamzës.

tirana kukesi

Madje, në fund të ndeshjes me Kamzën, ka qenë vetë presidenti Gjici që ka zbritur në dhomat e zhveshjeve e u ka kërkuar llogari futbollistëve për humbjen. Presidenti ka shprehur hapur zhgënjimin për këtë humbje dhe u ka bërë me dije të gjithë ekipit, futbollistëve dhe stafit se duhet të bëjnë kthesë, pasi në të kundërt dhe durimi i tij ka kufij. Ndeshja ndaj Tiranës, nëse ekipi do ta kalojë me sukses, do të shërbejë dhe si njëlloj morali përpara Partizanit për kampionat.

Skerdilaid Sulozeqi

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"