“Zemrën e kam te Flamurtari”, talenti Rrapaj: Ka pak shanse për… mbijetesën

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 27, 2020 | 20:14

“Zemrën e kam te Flamurtari”, talenti Rrapaj: Ka pak shanse për… mbijetesën

Arinaldo Rrapaj ka mall për futbollin. Pas më shumë se dy muajsh pa stërvitje, rikthimi në fushë i ka kthyer buzëqeshjen edhe 18- vjeçarit. Ai është pro rifillimit të kampionatit, ndonëse do t’i gëzohej ndryshimit të skemës.

rrapaj

Në një intervistë të dhënë për “Panorama Sport”, mesfushori i talentuar i Flamurtarit flet edhe për të ardhmen. Ndihet i lidhur me fanellën kuqezi, por nuk dëshiron që të nxitohet. Thekson se do të vendosë vetëm në fund të sezonit, kur të ulet me administratorin Sinan Idrizi.

Arinaldo, si e keni përjetuar periudhën pa futboll?

Të them të drejtën, këta dy muaj kanë qenë të vështirë për çdo lojtar, sepse stërvitja me ekipin është shumë e rëndësishme. Kemi punuar individualisht, por ajo ndryshon mjaft nga ajo që mund të bësh me grupin. Pastaj ne futbollistët gjatë gjithë kohës kemi qenë në aktivitet dhe nuk jemi mësuar me një shkëputje kaq të gjatë. Ka qenë tepër e vështirë, pasi ne nuk mund të jetojmë dot pa futboll. Por, them se tani gjërat kanë ndryshuar për mirë dhe uroj që të jetë kështu.

Si e mbyllët javën e parë të përgatitjeve dhe si është gjendja e lojtarëve?

Këto ditë kemi kaluar mirë me ekipin. Kemi bërë stërvitje intensive për të kapur ritmin sa më shpejt. Gjendja e ekipit në këto ditë të para pas rikthimit duket shumë e mirë. Uroj që të jetë kështu edhe në vazhdim. Kemi punuar me shumë përkushtim javën që kaloi. Lojtarët janë stërvitur gjatë kësaj kohe të gjithë në mënyrë individuale, kështu që do të bëjmë maksimumin edhe në ditët në vijim deri në rikthimin e kampionatit.

Ishte një kohë e gjatë pushimi, mendoni se do të ketë pasoja për futbollistët?

Normalisht që ka ndikimet e veta pasi ishte një kohë shumë e gjatë dhe gjendja e futbollistëve nuk do të jetë ashtu siç ka qenë përpara se të ndërpritej kampionati. Por, unë kam shpresë se do të ecim mirë, pasi gjendja e lojtarëve është e mirë. Do të rikuperojmë gjithçka të humbur dhe të mbetur pas.

Jeni pro apo kundër rifillimit të kampionatit?

Unë mendoj që kështu duhet të ndodhte. Kampionati duhet të fillonte, sepse ka ende shumë ndeshje për t’u luajtur. Nuk mund që të ndodhte ndryshe. Verdiktet duhet të jepen në fushën e lojës. Nuk kishte kuptim asnjë skenar tjetër. Zgjidhja e drejtë ishte rinisja e kampionatit, që unë shpresoj dhe uroj të shkojë sa më mirë. Duke respektuar kushtet dhe rregullat e vendosura, them se zhvillimi i kampionatit do të jetë në rrugën e duhur dhe korrekt.

Sa i ka shanset Flamurtari që të qëndrojë në Superiore?

Të them të drejtën, shanset janë të pakta. Në këto ndeshje të mbetura, normalisht gara do të vështirësohen edhe më shumë. Do të jetë një luftë e madhe, pasi çdo ekip ka pretendimet e veta. Por ne lojtarët do të luajmë deri në fund për sa më shumë rezultate pozitive. Çdo ndeshje do ta vlerësojmë maksimalisht.

Ndryshimi i skemës do të ishte shpëtim për Flamurtarin?

Për mendimin tim, duhet të ndryshojë skema e kampionatit. Nuk ka kuptim kjo skemë që është. Nuk ka konkurrencë, nuk ka bukuri dhe nuk ka përfshirje të shumë qyteteve që e kanë traditë futbollin. Kështu që, patjetër duhet të mendohet për një skemë të re.

Do të qëndronit te kuqezinjtë edhe në Kategorinë e Parë?

Unë jam një lojtar i akademisë vlonjate. Flamurtarin e kam ekipin tim të zemrës, ku edhe kam nisur karrierën time, kështu që premtoj se do të jap maksimumin dhe më të mirën time deri në fund të këtij sezoni ashtu sikundër kam bërë edhe më parë. Ndërsa për qëndrimin tim në vijim te Flamurtari është shpejt të flas, pasi për këtë duhet të ulem e të bisedoj me presidentin. Të shohim, s’e di ende se çfarë do të bëj për sezonin tjetër.

ERMAL SIKA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"