Ze Maria: Refuzova një klub shqiptar, Tiranën s’e braktis. Ja takimi me tifozët

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 3, 2017 | 20:02

Ze Maria: Refuzova një klub shqiptar, Tiranën s’e braktis. Ja takimi me tifozët

Ze Maria ka refuzuar një klub shqiptar të Kategorisë Superiore përpara se të firmoste me Tiranën. Vetë trajneri brazilian e zbuloi këtë dje në mbrëmje, teksa ishte i ftuar në emisionin “Zona Gol” në “Supersport”.

Ze Maria i shpreh besnikëri Tiranës, duke theksuar se është i vendosur për të mos e lënë në mes punën, sido që të vijnë rrethanat. “Kam zgjedhur të vijë te Tirana kur mu propozua, ndërsa një vit më parë kisha refuzuar të vija në Shqipëri. Po filloja projektin në Kenia dhe refuzova një skuadre tjetër këtu. Kur më thanë për Tiranën, nuk ishte situatë e mirë, sepse kishte rënë nga kategoria. Por, duke qenë një klub me më shumë tituj, besoja se do të rindërtohej. Për mua ishte një ide tërheqëse dhe vendosa të pranoja ofertën. Folëm me presidentin, i tregova idetë dhe ai ishte dakord. Jam i lumtur për atë që po ndodh”, – ka thënë fillimisht Ze Maria.

ze maria

PROBLEMET – “Kur erdha situata ishte paksa problematike, sepse kishte lojtarë që do iknin dhe të tjerë që do të afroheshin. Ne përballemi çdo ditë me vështirësi. E di se nëse ndodh diçka e vogël të Tirana, bëhet e madhe. Unë mendoj se lojtarët duhet të luajnë futboll, i dimë vështirësitë që ka Tirana, si në anën ekonomike, si me tifozët. Janë shumë detaje që që ne mundohemi t’i sfidojmë. Nëse lëmë që të gjithë këto probleme të bëhen pjesë e grupit, krijohen probleme të pakontrollueshme. Ne shpresojmë që vitin tjetër të jemi në Superiore. Nuk do të jetë e thjeshtë dhe po punojmë me këtë. Jam munduar t’u shpjegoj lojtarëve, sepse nuk është e lehtë të veshësh fanellën e Tiranës dhe të fitosh besimin e tifozëve”, – është shprehur Ze Maria për situatën.

TIFOZËT – Braziliani zbulon edhe takimin që ka pasur me tifozët bardheblu. “Kam folur me tifozët, më kanë shpjeguar se cili është raporti me klubin dhe çfarë kërkonin. I shpjegova ambicet e mia dhe të skuadrës. Iu thashë që isha unë tifozi i parë i Tiranës dhe që nuk do mungonte kurrë dëshira për të fituar. Mendoj se gjëja më e rëndësishme është që çdo lojtar, kur vesh fanellën, duhet të japë maksimumin. Këtë po bëjmë në këto ndeshje që kemi luajtur deri më tani në kampionat dhe Kupë”.

NGJITJA – “Asgjë nuk është e thjeshtë. E pamë me Bylisin se sa duan të na mundin. Në ndeshjen e fundit barazuan dhe kundërshtari festoi në dhomat e zhveshjes. Ne po bëjmë maksimumin, por po luajmë me ata që duan të vrasin një luan çdo fundjavë, pra të na gllabërojnë. Kemi ende kohë për të menduar për Superioren, sepse nuk është shëtitje si e mendojnë shumë njerëz. Do të mundohemi të kthejmë skuadrën në elitë”.

E ARDHMJA – “Kam pasur oferta konkrete edhe gjatë kësaj periudhe, por nuk largohem pa mbaruar projektin te Tirana. Nuk e di çfarë do të bëhet vitin tjetër, po do të vazhdoj këtë marrëveshje që kam. Ideja ime nuk është të largohem në mes të punës. Unë kam pranuar të vi se ishte ftesa e një klubi shumë të madh, edhe pse të rënë, është skuadër historike me një të kaluar të rëndësishme”, – përfundoi trajneri bardheblu.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"