Ze Maria: Plaga është ende e hapur, ndaj Vllaznisë një “derbi” për historinë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 28, 2017 | 15:05

Ze Maria: Plaga është ende e hapur, ndaj Vllaznisë një “derbi” për historinë

Kupa e Shqiperisë rikthen duelin “titan” ndërmjet Tiranës dhe Vllaznisë. Objektivi i Tiranës është hakmarrja ndaj shkodranëve, të cilët kujtojmë që me atë barazim në Shkodër, çoi Tiranën një kategori më poshtë. 16-herë fituesit e kupës së Shqipërisë do tentojnë nesër të fitojnë për të arritur objektivin e sezonit. Trajneri Ze Maria  në konferencën e sotme për shtyp të zhvilluar në ambientet e klubit bardheblu ka deklaruar:

Ze Maria

“Do të jetë një derbi për historinë, një ndeshje shumë e rëndësishme për popullin bardheblu, por edhe një ndeshje e vështirë, sepse plaga është ende e hapur. Kam folur me djemtë për atë çfarë ndodhi sezonin e shkuar, plaga është e hapur, por ne jemi një skuadër tjetër, prandaj duhet të luajmë ndaj një ekipi të Kategorisë Superiore. E respektojmë sepse sot qëndron një kategori më sipër, por ky fakt nuk do të na detyrojë të ndryshojmë mentalitet. Është një përballje që zgjat 180 minuta. E kemi studiuar Vllazninë dhe do të kërkojmë të bëjmë më të mirën. Jam i sigurt se mund të luajmë si të barabartë kundër çdo skuadre të Kategorisë Superiore. I njoh mirë lojtarët e mi dhe kam besim të verbër tek ata”.

Ze Maria nuk i ka kursyer fjalët e mira as për skuadrën e Vllaznisë.

E kam ndjekur disa herë Vllazninë në televizor dhe mund të them se është një skuadër që nuk e meriton vendin që ka në klasifikim. Janë një skuadër që është mësuar me presionin e Kategorisë Superiore, por ne duhet të shfrytëzojmë faktin që luajmë në shtëpinë tonë për të marrë një rezultat pozitiv në përballjen e parë.

Trajneri bardheblu preku edhe çështjen e shiritit në ndeshjen e kampionatit ndaj Shënkollit

“Çështja e shiritit të kapitenit tashmë është e kaluar dhe unë nuk e kam kuptuar ende pse duhet të bëhet një çështje kaq e madhe. Karabeci dhe Lika janë liderë të kësaj skuadre, por në transfertën e Shënkollit zgjodha Sentamun për ta mbajtur shiritin pasi ai është një shembull për të gjithë të tjerët për mënyrën sesi stërvitet. Në vend të tij mund të ishte Daja apo çdo lojtar tjetër, zgjodha atë për të treguar se kur lojtarët stërviten me seriozitet, të gjithë mund të jenë kapitenë”.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"