Ze Maria: Penallti e çuditshme, ndoshta VAR-in nuk do e pranonin këtu

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 22, 2018 | 11:30

Ze Maria: Penallti e çuditshme, ndoshta VAR-in nuk do e pranonin këtu

Ze Maria nuk i trembet afrimit të Bylisit dhe aq më pak aleancave të mundshme. Trajnerit i Tiranës thekson se asnjë ekip nuk mund t’i ndalë dhe kjo duket nga fakti që deri më sot nuk kanë marrë më shumë se një gol në 90 minuta.

Ze Maria

Ai e ka ende me gjykimin, ndërsa rikujton se dy gabime i kushtuan eliminimin nga Kupa e Shqipërisë dhe humbjen në Ballsh.

Braziliani minimalisht pretendonte që të kishte barazi me ballshiotët, të cilët çuditërisht e luajtën ndeshjen e prapambetur vetëm dje.

Ze Maria

Gjatë intervistës së dhënë për mediat dje, numri një i pankinës bardheblu flet për shumëçka, duke filluar me VAR-in, çudirat në futbollin shqiptar, por edhe për ndeshjen e radhës.

Ngoo dhe Muguna rrezikojnë Apoloninë prej gripit, ndërsa trajneri thekson se Binguila që një javë më parë duhet të ishte kthyer në Shqipëri.

Ze MARIA22

Bylisi fiton ndeshjen e prapambetur dhe tashmë jeni +4. Çfarë ndryshon?

Nuk ndryshon asgjë. Ne duhet të fitojmë kampionatin dhe nëse do të mbyllej gara sot, atëherë do ishim ne fitimtarët, pasi jemi +4. Ndaj axhenda jonë nuk ndryshon.

Nuk ju tremb përgjysmimi i pikëve pas dy javësh?

Do shkonim në +2 nëse dy javët e fundit të kësaj faze mbyllen me fitoret e secilës. Por, ata që duan të fitojnë kampionatin, duhet të na mposhtin. Ndaj, shqetësimi nuk është i yni. Ne jemi në krye dhe ideja jonë është që të marshojmë.

A ju duket e çuditshme që nuk fituat dot në Ballsh?

E çuditshme ishte penalltia. Në fushë e pashë që nuk ishte, por kur e ripashë me video, kuptova që ishte e çuditshme. Këto janë gabime që ndodhin, por, për fat të keq, neve na ngjau radhazi në dy ndeshje vendimtare, një me Kukësin dhe Bylisin. U eliminuam nga Kupa e Shqipërisë në mënyrë të pamerituar dhe në Ballsh nuk fituam, edhe pse meritonim fitoren. Krijuam shumë raste, por ndoshta gabimi ynë ishte që nuk e mbyllëm ndeshjen direkt. Më pas morën atë penallti, të cilën e patë edhe ju.

E donit VAR-in në atë ndeshje?

Nuk e di a do ta pranonin VAR-in këtu, pasi shumë gjëra do të ndryshonin. Në Itali gjërat po përmirësohen, po evitohen shumë gabime në favor dhe kundër “të mëdhave”. Futbolli po bëhet më i drejtë, pasi një gabim njerëzor të paktën mund ta shmangë teknologjia. Duhet menduar për të ardhmen VAR-i edhe në Shqipëri.

Pse ju shqetëson shtyrja e ndeshjes së Bylisit?

Ata duhet të luanin në të njëjtat kushte me ne. Ne luajtëm të mërkurën dhe ata duhet të zbrisnin në fushë të enjten, por s’e kuptova pse u shty. Ne luajtëm nën reshjet e borës në Kukës, ndaj në kushte më të vështira se kaq nuk mund të bësh në futboll. Ndërsa ata nuk luajtën. Por, ndoshta është një favor që ata e meritojnë dhe ne jo.

Ju duket Shqipëria si vendi “i çudirave”?

Shqipëria ka nevojë të përmirësohet në aspektin futbollistik, ashtu si shumë vende të tjera që po futen në futbollin e madh. Ajo që unë i kërkova presidentit tim, ishte që të luaja në të njëjtat kushte me Bylisin. Ne luajtëm dhe ata jo. Nuk më takon mua kjo çështje, por të paktën prisja barazi. Atje ishim të lodhur dhe ndoshta të “shkarkuar” pas ndeshjes me Kukësin, që ishte duel vendimtar për ne. Pra, kishim lodhje në këmbë dhe në fund e paguam disi.

Keni frikë nga aleancat në pjesën e fundit të sezonit?

Aleanca? Unë i besoj verbërisht skuadrës sime. Kam një ekip serioz dhe të përqendruar. Nëse shënojmë dy gola, vështirë se mund të pë- sojmë tre. Deri më tani nuk kemi pësuar më shumë se 2 gola në 90 minuta, që do të thotë se kemi një ekip që mbrohet mirë. Pra, nëse krijohen aleanca, duhet të na bëjnë më shumë se 2-3 gola. Dhe nëse ne vijojmë me të njëjtin ritëm, vështirë se do t’ia dalin.

Nuk keni asnjë fitore ndaj një rivali direkt, mendoni që mund të ndikojë nëse në një moment jeni në balotazh pikësh?

Kjo është një gjë që mund të ndodhë. Ne humbëm 1-0 në një ndeshje që luajtëm vërtet keq dhe mendoj se ajo është e vetmja që ne kemi çaluar gjatë këtij sezoni. Në Ballsh pastaj bëmë shumë raste, nuk ishim të ftohtë që ta mbyllnim shpejt atë takim dhe përfundoi ashtu si përfundoi. Megjithatë nuk do të thotë asgjë. Do luajmë edhe dy herë me ata, ashtu si me të tjerët. Nga këtu deri në fund, do na duhet të fitojmë 10 ndeshje. I kemi të gjitha kartat në rregull për ta bërë.

Apolonia është kundërshtari i radhës. Për çfarë udhëtoni në Fier?

Apolonia ka ekip të mirë, pasi fituam me vuajtje 2-0, ndaj në Fier do e kemi disi më të vështirë. Luajnë në fushën e tyre dhe me tifozë, por ne kudo që shkojmë, luajmë për fitore. Të gjithë duan të na mposhtin dhe kjo do të na shoqërojë deri në fund.

Tifozët e thyen akullin dhe u kthyen në stadium…

Jam i lumtur që i pashë, pasi na ndihmuan. E panë impenjimin e lojtarëve dhe shpresoj që t’i shoh deri në fund në stadium, pasi duhet të punojmë bashkë. I gjithë ambienti bardheblu duhet të luftojë kundër shumë gjërave, jo vetëm brenda fushës.

Kush janë “gjërat” e tjera?

Ju i dini se çfarë ka ndodhur në këto ndeshjet e fundit dhe jo vetëm.

Ky test që zhvilluat me të rinjtë, sa ju shërbeu?

Doli 4-1, edhe pse goli i të rinjve ishte pozicion jashtë loje. Më shumë më shërbeu për të parë edhe U-19 dhe për të provuar diçka ndryshe nga ditët e fundit.

Ngoo dhe Muguna vazhdojnë me grip?

Muguna është sëmurë, ndërsa Ngoo u kthye dhe të shohim a do të jetë gati. Nëse nuk janë… Nëse nuk janë, do luajnë të tjerë.

E fundit, çfarë ndodh me Binguilën?

Pyetje e bukur, pasi po kurohej në vendin e tij dhe duhet të kthehej javën e shkruar në Shqipëri. Nuk kam pyetur, ndaj do interesohem te presidenti për të kuptuar çfarë fundi ka bërë.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"