Ze Maria: Nuk toleroj më humbje në shtëpi, Doka dukej sikur kishte kapur qiellin me dorë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 17, 2017 | 17:08

Ze Maria: Nuk toleroj më humbje në shtëpi, Doka dukej sikur kishte kapur qiellin me dorë

Në vigjilje të ndeshjes ndaj Apolonisë, trajneri i Tiranës, Ze Maria, foli në konferencën për shtyp për gjendjen e ekipit, edhe pas humbjes ndaj Bylisit. Ai tha se nuk do të tolerojë më një humbje në shtëpi, pasi lojtarët e tij duhet të kenë respekt për fanellën e Tiranës.

Ai gjithashtu foli edhe për një nga talentët më premtues të Tiranës, Albi Dokën, dhe tha se ka ende për të mësuar.

ze maria

Ndeshja ndaj Bylisit…

:Humbëm sepse nuk luajtëm të motivuar dhe nuk dhamë në fushë atë që kishim përgatitur në stërvitje. Lojtarët e kanë kuptuar atë që ndodhi dhe u vjen turp për gabimet. E kemi analizuar humbjen me Bylisin. Nuk mund të lejoj më që një skuadër të na vijë dhe të na mundë në shtëpi. Parimi i futbollistëve tanë duhet të jetë ky, këtu e bëj ligjin unë.”

Kundër Apolonisë…

“Nesër nuk na lejohet një tjetër hap fals, sepse duhet të kemi respekt për tifozët, klubin dhe stafin. Unë do t’i kërkoj gjithmonë lojtarëve të futen në fushë për të fituar, qoftë përballë Apolonia, Partizani apo Skënderbeu. Ata po luajnë në klubin më të titulluar në Shqipëri, dhe nuk kanë alternativë tjetër.”

Ndryshimet në formacion…

“Ndoshta mund të bëjmë ndonjë ndërrim, por do të presim deri nesër për më shumë.”

Albi Doka?

“Kur erdha këtu, dukej sikur Doka kishte prekur qiellin me dorë. I kërkova klubit të mos e largonte, pasi kishte ende shumë për të mësuar, dhe nga unë mund të mësonte. Është një diamant që duhet përpunuar. Ka bërë ndeshje të mira, por edhe mesatare. Ai mund të bëhet një lojtar shumë i mirë për Tiranën.”

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"