Ze Maria: Nuk jemi ende në 100 % tonë, Iuliano është i artë për Partizanin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 28, 2017 | 15:57

Ze Maria: Nuk jemi ende në 100 % tonë, Iuliano është i artë për Partizanin

Ze Maria e pranon se ndeshja me Besën ishte vetëm për t’u luajtur, megjithatë thekson se nuk ka vend për neglizhencë, kur dihet që ky trofe është i vetmi që i çon në Europë. Në intervistën e dhënë pas ndeshjes, trajneri i Tiranës foli edhe për nivelin e Superiores dhe për krizën që po kalon homologu i tij i Partizanit, Iuliano.

ze maria

Një ndeshje vetëm për t’u luajtur kjo me Besën…

Po, por duhet ta fitonim. Një ndeshje që të dyja skuadrat e trajtuan si miqësore, për të provuar mbi të gjitha rezervat. Mua më shërbeu për të parë disa lojtarë që mund të luajnë dhe luftojnë për një vend titullari në ekipin e parë.

Vetëm 2-0 me rezervat e Besës, priste Ze Maria më shumë gola?

Prisja performancë më të mirë. Gjithsesi, ishte më shumë një ndeshje për të evidentuar se kush bëri më mirë dhe për t’u dhënë hapësirë atyre që kanë luajtur më pak.

Dhe doja që t’ua bëja të qartë, që të gjithë janë të rëndësishëm. Ky është kompeticion që po ta fitojmë, na jep mundësinë për të luajtur në Ligën e Europës. Është forma dhe rruga e vetme për të qenë aty, ndaj doja që t’ua tregoja se sa vlerë ka ky trofe për ne.

Të shtunën vjen Naftëtari, që sot (dje) pësoi 7 gola nga Partizani…

Çdo ndeshje ka histori të ndryshme. Në këto ndeshje pastaj kemi kuptuar që kampionati ndryshon nga Kupa. Kundërshtarët vijnë gjithnjë për të na mposhtur, por ne luajmë në shtëpi dhe do kërkojmë që të vazhdojmë me rrugën tonë, atë të fitoreve. Duhet të kemi më shumë besim dhe siguri te forcat tona, për këtë kemi nevojë. Ndaj çdo fitore që marrim, është një hap i hedhur për të ardhmen.

Si është gjendja e Binguilës, është serioz dëmtimi?

Në vazhdim do të kryejmë një rezonancë për të parë gjendjen e tij. Shpresoj të mos jetë diçka e rëndë, pasi ishte një lojtar që po përfshihej me grupin. Megjithatë, të presim përgjigjet e rezonancës.

Kanë kaluar tre muaj te Tirana, i kënaqur me këtë aventurë?

Deri më tani po. Shoh që skuadra po rritet dhe po fiton mentalitetin e tim. Nuk pushon dhe nuk dorëzohet kurrë. Kjo është pozitive për ambientin e Tiranës, që gjithnjë është nën presion. Po rritemi sikundër e thashë, por nuk jemi ende në 100% tonë.

Ju vjen keq që Tirana është në inferiore, pasi shihni nivelin e Kategorisë Superiore?

Tani duhet të shohim kampionatin tonë. Të qash mbi qumështin e derdhur, nuk shërben. Tani ne duhet të mendojmë që të rikthehemi në elitë dhe vitin tjetër, mund të bëj një analizë, nëse jemi ne apo ata superiorë. Tani jemi në të Parën dhe detyra jonë është e thjeshtë: duhet të tregojmë që jemi më të mirët e kësaj kategorie.

E keni ndjekur Partizanin dhe a ruani kontaktet me Iulianon?

Po, Iuliano është një mik, ashtu si është Panuçi. Kemi luajtur në Itali në të njëjtën periudhë, ndaj njihemi prej 20 vitesh. Nuk frekuentohemi çdo ditë, por shkojmë mirë. E kam takuar disa herë këtu në Tiranë dhe shpresoj që ai ta kalojë këtë situatë, pasi është një djalë i artë dhe një trajner i mirë.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"