Ze Maria: Ndjen entuziazëm kur luan ndaj një ekipi të Superiores, aty ka lojtarë për kombëtaren

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 6, 2017 | 18:59

Ze Maria: Ndjen entuziazëm kur luan ndaj një ekipi të Superiores, aty ka lojtarë për kombëtaren

Për Ze Marian, kjo miqësore ishte si një “stërvitje” luksi. Për të, pak rëndësi kishte rezultati, pasi më shumë kishte për qëllim që të mbante grupin në tonus gjatë pauzës. Në intervistën e dhënë pas ndeshjes, trajneri brazilian i Tiranës i bën “skanerin” kampionatin shqiptar në tërësi, por ndalet edhe te dueli me Vllazninë për Kupë.

ze maria

Luajtët pa tre lojtarë, sa i shërbeu Ze Marias ky test?

Jam i lumtur për Dokës, Halilin e Nuriun, që janë pjesë e Shpresave. Ky është objektivi i çdo lojtari, ndaj shpresoj që në vazhdim, të dërgojmë të tjerë elementë në Kombëtare, pasi kjo do të thotë që Tirana po bën mirë. Ishte miqësore, ndaj është normale që nuk është e njëjta grintë në fushë, por shërben si stërvitje dhe për më tepër, kur përballë kanë 21-vjeçarët më të mirë të vendit.

Tani e njihni më mirë të Parën, çfarë impresioni keni për futbollin që luhet në këtë kategori?

Kategoria e Parë ka futboll më fizik se Superiorja, me skuadra të vogla, që luajnë në mbrojtje dhe mund të na dëmtojmë me kundërsulmet apo me goditjet standarde, ndaj duhet kemi kujdes për 90 minuta dhe të bëjmë Tiranën. E lehtë nuk është, por duhet të fitojmë gjithnjë dhe të bindim me lojëra të bukura.

Kupa mbetet një objektiv për Tiranën dhe kundërshtari i radhës është Vllaznia që luan në Superiore. I druheni zhbalancimit të skuadrës?

Të luash me një ekip të Superiores, të jep më shumë entuziazëm, pasi do të tregosh që duhet të bëje pjesë në këtë kategori. Duhet të jemi të përqendruar dhe gati kemi 25-27 lojtarë që mund të luajnë. Dua që t’i mbaj në ritëm të gjithë. Të shohim, pasi praktikisht kemi 3 ndeshje në javë. Këtë javë do punojmë fort. Skuadra do të jetë e fokusuar si në kampionat, edhe Kupë, pasi objektivat tanë janë ngjitja dhe fitimi i Kupës. Dhe kjo e fundit është disi më e vështirë, pasi janë pak më lart se ne.

Keni ndjekur disa ndeshje të Superiores, ndaj mund të thoni si ju janë dukur këto javë?

Partizanin e kam parë shpesh, pasi luajnë në stadiumin tonë dhe për më tepër jetoj këtu afër. Kam parë gjëra të bukura dhe lojtarë të mirë. Më kanë befasuar pozitivisht disa ekipe të Superiores, madje disa lojtarë mund të jenë për Kombëtaren.

Partizani i Mark Iulianos nuk po ia del, keni një këshillë për të?

Nuk do ia lejoja vetes kurrë që të ndërhyrja në anën teknike dhe taktike të një skuadre tjetër. Mark është një mik dhe një trajner i mirë, shpresoj vetëm që ta kalojnë këtë situatë. Ka nevojë për kohë, pasi është një trajner që vjen nga jashtë. Ai një tjetër mentalitet dhe ka stërvitur tjetër tipologji lojtarësh, që janë ndryshe nga shqiptarët. Avash-avash, shpresoj që të tregojë potencialin e skuadrës dhe punën e tij. I ka të gjitha “kartat” për t’ia dalë.

Po Skënderbeu si ju duket, pasi është i vetmi ekip që luan edhe në Europë?

I kam parë, janë të fortë. Janë një ekip me shumë karakter dhe mposhtën Kukësin në transfertë. E njohin potencialin e tyre dhe janë liderët e këtij kampionati. Luajnë futboll të mirë dhe ky është fryt i përvojës europiane. Kur luan në ato nivele, rritjen, dashje pa dashje, e tregon edhe në kampionat.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"