Ze Maria- Kostiç, tension i lartë për stolin. Njëri mund të jetë në “gijotinë”

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 14, 2018 | 21:18

Ze Maria- Kostiç, tension i lartë për stolin. Njëri mund të jetë në “gijotinë”

Ironi e fatit apo koincidencë! Logjikoni si të doni. Të dielën në orën 20:45 pas takimit mes Tiranës dhe Luftëtarit, njëri nga trajnerët e huaj të dyja skuadrave të Superiores, mund të jetë në gijotinë. E ardhmja e Hoze Marselo Ferreirës dhe Mlladen Kostiçit nuk është më në dorën e tyre, por të rezultatit, që do të prodhojë sfida e javës së katërt.

Kostic

Edhe pse është ironike, që të dy janë trajnerët e vetëm të huaj në Superiore, njëri prej tyre mund të shkarkohet, pas 90 minutave më të sikletshme për ta, në këtë fillim kampionati. Shkaku për ta është i njëjtë. Nuk kanë rezultate dhe në këto kushte është trajneri ai që e pëson.

Të dy ekipet kanë dhënë sinjalet e tyre në Kupë, teksa kanë fituar me katër gola, por një fitore në këtë kompeticion nuk do të thotë shumë. Me një dhe zero pikë, si Ze Maria dhe Kostiç prej 15 ditësh shohin që të lëkundet stoli i tyre. Dhe në fakt janë vetëm tri mundësi që këta trajnerë të shpëtojnë. Mundësia e parë është që Ze Maria dhe Tirana të fitojnë e trajneri të mos largohet nga ekipi. Sigurisht, braziliani nuk shpëton automatikisht, pasi duhet të luajë mirë dhe të kalojë dy prova shumë të rëndësishme në Superiore, kundër Skënderbeut në transfertë dhe Partizanit në derbi. Vetëm me fitore të njëpasnjëshme, Hoze Marselo Ferrreira do të shpëtonte.

Ze-Maria-696x464

Sigurisht, festa e njërit është halli i tjetrit, sepse në rastin e fitores së Ze Marias, Mlladen Kostiç shkon  në shtëpi. Versioni i dytë i situatës është që të fitojë Luftëtari në Tiranë, dhe në këtë rast, nuk do mend që Tirana do të sakrifikojë shumë për të larguar Ze Marian dhe Kostiçi të “ngrejë kokë” e të rehatohet në kolltukun e tij në Gjirokastër. Ka edhe një version të tretë, ku barazimi do të gëzonte sërish sllovenin e Luftëtarit, ndërsa për Ze Marian zor se do të mjaftonte, pasi Tirana do të largohej shumë nga kreu i kampionatit.

Një situatë absurde, që do të hajë kokën e një njërit prej trajnerëve. Vetë Ze Maria e ka pranuar se largohet kur të dojë, pasi nuk i ka problem paratë, por do të bëjë emër në futbollin shqiptar. Gjithsesi, e diela është një rebus që do të zbulohet atë mbrëmje, pasi si Tirana dhe Luftëtari nuk mund të presin. Koshi i tyre do pikë, që deri tani nuk janë dukur në horizont …

OLSI AVDIAJ

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"