Ze Maria i druhet edhe skuadrës që pësoi 13 gola nga Partizani: Me ne motivohen të gjithë!

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 29, 2017 | 17:28

Ze Maria i druhet edhe skuadrës që pësoi 13 gola nga Partizani: Me ne motivohen të gjithë!

Trajneri i Tiranës, Ze Maria, e ka të qartë se skuadra e tij nuk do të ketë asnjë ndeshje të lehtë në Kategorinë e Parë. Brazilianit i kanë mjaftuar dy ndeshje për të kuptuar që ekipet e vogla japin maksimumin ndaj bardhebluve për të arritur një rezultat historik në rrugëtimin e tyre për herë të parë në Kategorinë e Parë.

Ze Maria

“Shpresojmë si gjithmonë që të marrim rezultat pozitiv në ndeshjen e radhës. Kemi marrë maksimumin në dy ndeshjet e para, ndonjëherë duke luajtur jo edhe aq mirë. Në fillim të sezonit, të rëndësishme janë pikët. Deri më tani kemi marrë 6 pikë dhe shpresojmë të fitojmë për t’u ngjitur në kuotën 9. Një skuadër si Tirana luan në çdo aktivitet për t’i fituar ndeshjet dhe turneun.

Lojtarët e mi nuk do ta nënvlerësojnë asnjëherë një ndeshje. E kemi të qartë që jemi pjesë e një klubi të rëndësishëm me një të kaluar të rëndësishme. Ndaj cilindo kundërshtari që do të kemi përballë duhet të luajmë njësoj sikur ndeshemi me kampionët e Shqipërisë. Ky është mentaliteti që kërkoj.

Kundërshtarët tanë nuk luajtën me ekipin më të mirë në Kupë dhe për këtë arsye pësuan 13 gola, por çdo ndeshje ka një histori të veçantë dhe nuk mund të quhet e fituar ende pa u luajtur. Nëse pësojmë gol çdo gjë vështirësohet dhe për këtë arsye duhet të jemi të përqendruar dhe të përpiqemi prej fillimit të marrim rezultat”, tha ai duke iu referuar edhe kundërshtarit të radhës, Naftëtarit, i cili nuk i bëri asnjë lloj rezistence në Kupë ekipit të Partizanit.

Ze Maria Tirana

“Në Itali edhe unë kam luajtur në skuadra të vogla, siç është rasti i Peruxhias. Sa herë që luanim ndaj Interit, Juventusit apo Milanit jepnim gjithmonë më të mirën dhe ndonjëherë arrinim të fitonim. E njëjta gjë vlen edhe për Tiranën, të gjithë kundërshtarët duan të tregojnë se mund të luajnë përballë një skuadre të madhe në Shqipëri.

Për këtë arsye ndeshjet kundër nesh janë të ndryshme nga ato me kundërshtarët e tjerë, sepse Tirana është skuadra që ka fituar më tepër tituj dhe që njihet më shumë jashtë Shqipërisë. Përshtypja ime është se skuadrat kërkojnë gjithmonë të japin më të mirën dhe kjo na krijon disa vështirësi, por mbi të gjitha në dy ndeshjet e para u shfaq cilësia e kësaj skuadre. Edhe pse nuk jemi në formën më të mirë, dalëngadalë po rritemi. Natyrisht që diçka duhet ta përmirësojmë në nivelin sulmues, mbrojtës por edhe në organizim”, theksoi trajneri brazilian.

Ai pranoi se Kupa ishte një objektiv i klubit dhe se përballja e radhës në këtë turne ndaj Vllaznisë e bënte edhe më interesant duelin, duke llogaritur se përballë ishte ekipi që e hodhi nga kategoria Tiranën. Por sipas tij, për ato ndeshje duhej menduar vetëm në kohën e duhur pasi primar për momentin ishte kampionati.

“E njoh historinë e asaj ndeshje, por përpara Vllaznisë kemi edhe dy ndeshje të tjera për të luajtur. Do të mendojmë për këtë sfidë pas datës 14, do të kemi kohë t’i studiojmë, të shohim ndeshjet e tyre në televizor dhe të shohim video. Për këtë ndeshje do të flasim në vazhdim. Ndërprerja e kampionatit vërtetë do të na presë ritmin e mirë të këtij fillimi të sezonit, por do t’i shërbejë edhe skuadrës për të fituar forcat, sepse kontingjentin e kemi të kufizuar dhe në tetor na presin shumë sfida të rëndësishme për objektivat e sezonit”, tha Ze Maria.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"