Ze Maria, Halili rinis të meditojë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 5, 2018 | 13:33

Ze Maria, Halili rinis të meditojë

Hoze Marselo Ferreira nuk e ka kaluar plotësisht “lumin”! Ndonëse klubi nuk ka folur për konfirmim apo moskonfirmim të tij, situata e brazilianit mbetet e lëkundur. Klubi gjatë ditës së djeshme ka zhvilluar një sërë analizash për shkaqet e situatës aktuale të Tiranës.

ze maria

Presidenti ka diskutuar me njerëzit e afërt për gjendjen e ekipit, si dhe po mbledh të mirat dhe të këqijat për “misterin” që më pas të bëjë një vlerësim përfundimtar. Edhe pse nuk ka një njoftim zyrtar, Ze Maria hë për hë qëndron në krye të ekipit, por situata e tij është shumë e lëkundur. Koha e tanishme mund të ishte e volitshme për ndryshimin e trajnerit. Hipotetikisht, drejtuesi i ri do të kishte 16 ditë kohë të ndërtonte një skuadër të re. Po për momentin situata është në “status quo”, edhe pse çdo e mirë e ka një bisht. Një barazim me Luftëtarin do të ishte fatal për të ardhmen e Ze Marias në krye të Tiranës. Në fakt, presidenti Halili pas ndeshjes me Kukësin ka qenë shumë i zhgënjyer dhe njerëz pranë tij kanë menduar se Ze Maria do të shkarkohej.

Ze-Maria-696x464

Nuk ndodhi, për shumë arsye, por një humbje apo barazim me gjirokastritët do të ishte firma e largimit të brazilianit, i cili publikisht është një zhgënjim për të gjithë në çdo drejtim. Të gjithë e dinë se Hoze Marselo Ferreira qëndron te Tirana vetëm për një fakt shumë të rëndësishëm. Kontratën! Në tre javët e para skuadra e Ze Marias ka grumbulluar vetëm një pikë. Trajneri ka marrë nëntë lojtarë të rinj, por çuditërisht edhe pse ka pasur kohë sa të duash nuk ka mundur të formojë një ekip kompetitiv. Dy humbjet me Kamzën e sidomos me Kukësin kanë treguar se ekipi nuk ka dorën e tij. Thjesht skuadra ka luajtur për inertes në Kategorinë e Parë dhe në Superiore, pasi nuk mund të shpjegohet një situatë skandaloze në takimin me kuksianët.

 OLSI AVDIAJ 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"