Ze Maria fokusohet te shënjestra para portës, praktikë me goditjet standarte dhe gjuajtjet

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 5, 2017 | 17:33

Ze Maria fokusohet te shënjestra para portës, praktikë me goditjet standarte dhe gjuajtjet

Tirana mundi Vllazninë në ndeshjen e parë të turit të dytë në Kupën e Shqipërisë dhe tashmë është e qetë në përgatitje për ndeshjen e radhës në Kategorinë e Parë. E radhës për bardheblutë është transferta me Ilirinë në Fushë Krujë. Dje, Tirana ka vijuar përgatitjet për këtë takim dhe trajneri i kryeqytetasve është fokusuar në ushtrimet brenda zonës.

Standardet – Trajneri është fokusuar në punën me goditjet standarde të lojtarëve dhe duelet brenda në zonë. Një pjesë e madhe e kohës gjatë seancës së djeshme është zënë me ekzekutimin e goditjeve nga këndi si dhe goditjeve standarde në afërsi të zonës, ku njëherësh janë testuar edhe mbrojtësit në pastrimin e zonës, por edhe lojtarët ofensivë me shënjestrën për të goditur saktë drejt kuadratit të portës kundërshtare.

tirana

SULMUESIT – Më tej, trajneri ka veçuar vetëm mesfushorët ofensivë dhe sulmuesit për ta vijuar këtë ushtrim, ndërkohë që mbrojtësit janë vënë nën urdhrat e përgatitësit atletik dhe kanë marrë ngarkesë fizike me disa seanca vrapimi rreth gjysmës së fushës.

Portierët – Sigurisht që edhe portierët kanë pasur një ditë të ngarkuar pune nën urdhrat e Egbosë, i cili nuk ka ulur aspak ritmin. Ish-gardiani i 24 herë kampionëve të Superiores në Shqipëri, aktualisht trajneri i portierëve, ka zbatuar programin e tij me shumëllojshmëri ushtrimesh dhe me ngarkesë të nevojshme për gardianët.

tiranaa

LOJA – Në fund, për rreth 30 minuta, bardheblutë kanë zhvilluar një minindeshje futbolli. Trajneri Ze Maria është dashur të bëjë arbitrin, ndërkohë që ekipi është ndarë në dy grupe ku edhe është zhvilluar një ndeshje. Lojtarët kanë luajtur lirshëm dhe pa detyra, por gjithsesi të vëzhguar nga trajneri dhe stafi i tij për cilësitë që ka shfaqur gjithsecili në këtë minutazh të shkurtër loje, si dhe me një hapësirë të reduktuar të fushës.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"