Ze Maria: Fitorja detyrim, pres shpërthimin e sulmit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 2, 2018 | 11:28

Ze Maria: Fitorja detyrim, pres shpërthimin e sulmit

Vetëm fitore! Trajneri i Tiranës, Ze Maria, është i qartë me atë që kërkon. Barazimi dhe humbja janë lënë pas. Është radha e fitores. Para ndeshjes me Kukësin, braziliani ka dhënë një prononcim për shtypin. Sipas tij, problemi kryesor është rezultati dhe goli që mungon këtë sezon te bardheblutë. Ze Maria u tregua i qartë me atë që kërkon nga skuadra në takimin e “Loro Boriçit”. Paralajmërim për Junus Sentamunë, që nuk ka shënuar ende, si dhe dy fjalë për sulmuesin e ri nigerian Oduamadi.

ze-maria

-Të dielën, përballë është Kukësi. Një ndeshje shumë e vështirë?

Është shumë vështirë si të gjitha ndeshjet në Kategorinë Superiore. Mbi të gjitha, Kukësi është një skuadër e madhe. Për më tepër që pas ndeshjes së fundit ku kanë humbur, ata do të kërkojnë të fitojnë ndeshjen dhe kjo është normale. Në këto kushte, na mbetet vetëm që të jemi të përqendruar për të 90 minutat dhe asnjë sekondë më pak.

-Do të ketë ndryshime Tirana në këtë ndeshje?

Diçka ndoshta do të ndryshojmë, por këtë do ta zbuloni nesër (sot). Nuk mund ta them që sot (dje), sepse janë gjëra taktike. Jemi stërvitur mirë, por kemi ndryshuar disa gjëra të vogla taktike nga takimi i kaluar dhe në këtë linjë kemi adaptuar strategjinë tonë për këtë sfidë.

-Keni thënë që skuadra do të jetë gati pas javës së tretë. Është Tirana aty ku duhet?

Grupi po bëhet gati ditë pas dite. Kemi shtuar diçka këto ditë. Javën e ardhshme do të afrohet një tjetër lojtar i mirë. Siç ju kam thënë, pas ndeshjes së tretë do të luftojmë dhe përballemi me çdo ekip, pa pasur frikë dhe qenë gati për të fituar titullin kampion. -Kërkuat dy sulmues, por erdhi vetëm një. Edhe ai nuk është qendërsulmues… Kërkoja në lojtar krahu apo “uinger”. Ka goxha eksperiencë, pasi djali ka luajtur për shumë vite në Itali, mes B-së dhe A-së. Sigurisht që na mungon një sulmues i mirëfilltë, por Majkëlli është shumë pranë rikthimit dhe Junusi mund të luajë në atë pozicion. Nga tani deri në janar do të luajmë me këta futbollistë. Ndonjëherë do të luajmë me numrin 9 e herë të tjera jo. Do të kemi variacione të shumta.

ze maria

-Keni frikë nga një humbje? Situata mund të bëhet më e zymtë?

Jo, jo. Kur punon apo kur bën këto lloj punësh, si ajo e trajnerit apo lojtarit, nuk duhet të kesh frikë. Duhet të punosh shumë çdo ditë dhe të gjesh zgjidhjet për gabimet që mund të bësh. Qëllimi është të fitojmë tri pikët, pasi ky është qëllimi ynë.

-Lika do të jetë në ekip. Besoj se ka mbaruar pushimi për të?

Po, Ilioni do të kthehet në skuadër, sepse ai është numri 1 i skuadrës. Alesio ka luajtur shumë mirë, por për shumë arsye do të luajë Lika. Në këtë moment na duhet shumë eksperiencë dhe kështu Lika do të jetë në vendin e tij natyral.

-Sentamu sezonin e shkuar luajti shumë mirë, por nuk ka shënuar akoma. Po këtë sezon, si ju është dukur?

Është diçka normale edhe për të. Ju shihni që edhe Ronaldo nuk ka shënuar me Juventusin. Kur nis të shënosh, nuk ndalon më. Jam duke e pritur, siç bëri sezonin e shkuar ai, Greca dhe Majkëlli, të cilët shënuan të tre së bashku rreth 40 gola. Gjithsesi, edhe e pritura ka një fund.

-E kritikuat Dokën në televizor. Duket se nuk ka për të luajtur as këtë takim. I ndëshkuar apo zgjedhje taktike?

Nuk i ndëshkoj kurrë lojtarët e mi. Është zgjedhje taktike për të mirën e grupit. Përsa i përket grupit, do të shohim nëse Doka do të luajë apo jo. Ai është si të tjerët, por vendimin do ta marr pak minuta para ndeshjes.

-Ju e keni miratuar afrimin e nigerianit të sulmit?

Po. Fola me Hektor Çomon dhe Arbi Laçin për këtë afrim. Fola edhe me lojtarin. Do të jetë të martën në Tiranë, ndërsa të mërkurën do të dalë në stërvitje.

OLSI AVDIAJ 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"