Ze Maria e bën Tiranën për shtanga, një 20-vjeçar nga kampionati grek bashkohet me bardheblutë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 20, 2017 | 11:58

Ze Maria e bën Tiranën për shtanga, një 20-vjeçar nga kampionati grek bashkohet me bardheblutë

Ngarkesat nuk kanë të sosur. Ze Maria vazhdon t’i “shtrydhë” lojtarët në stërvitje. “Ndëshkimet” për fitoren e vuajtur me Ilirinë nuk kanë mbaruar, pasi edhe dje ka kryer një seancë më së shumti fizike, madje nga ato që të kujtojnë programin e fazës përgatitore. Ushtime force dhe shpejtësie, por këtë herë edhe shtanga.

tirana

Sfida ishte e vështirë për gjithsecilin, sidomos për ata më të vegjlit në moshë, që duhet të mbanin pesha të larta. Në fund ka pasur edhe pak lojë për rikuperimin e muskujve. Pritet që nga sot ritmi të bjerë disi, pasi fokusi i stafit teknik do të zhvendoset te taktika, por edhe ndërtimi i formacionit që do të hedhin në fushë kundër Pogradecit të dielën.

Mocovilla

Sakaq, i pranishëm në “Skënder Halili” ishte edhe një i ri. Bëhet fjalë për Ardit Mocovillën, i cili luan si qendërmbrojtës dhe është 20 vjeç. Lojtari rishtas ka qenë edhe pjesë e Korfuzit, në kampionatin grek, ndërsa prej ditës së djeshme ka nisur stërvitje me bardheblutë. Nga sa konfirmojnë në klub, Mocovilla do të federohet tek ekipi B.

Ky i fundit bashkë me Klisman Caken nuk morën ngarkesa si pjesa tjetër e grupit, ndërsa u këshilluan nga trajneri që të kryenin më së shumti vrapime rreth fushës.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"