Ze Maria: Dua kohë dhe afrime. Një tjetër 19-vjeçar për titullar

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 21, 2017 | 9:25

Ze Maria: Dua kohë dhe afrime. Një tjetër 19-vjeçar për titullar

Pavarësisht rezultatit, Ze Maria sheh gjëra pozitive te Tirana dhe kërkon kohë e besim për ekipin, lojtarët dhe rezultatet që do të vijnë. Në deklaratën e dhënë pas ndeshjes së humbur me Laçin, ai, ka përgëzuar të riun Zhivanaj, ndërkohë që u ka dhënë edhe një herë mundësinë të rinjve që të ambientohen. Sipas trajnerit, kantieri ka nevojë për elemente shtesë, të cilët i pret prej kohësh.

tirana laci

Një humbje tjetër për Tiranën, por skuadra ishte më e lirshme…

Duhet ta pranoj se sot (dje) bëmë shumë pak gabime dhe njëri prej tyre në pjesën e parë në rastin e golit, duke e paguar shumë shtrenjtë. E kam thënë, kjo është pjesë e lojës. Kemi kohë për të bërë gjëra të mëdha. Skuadra luajti më mirë se ndeshja e parë. Aktualisht, jemi një kantier në ndërtim e sipër.

Do të jemi më datë 6 shtator gati. Pak nga pak, skuadra po rritet dhe po i afrohet idesë sime të lojës. Kemi bërë një hap përpara, edhe pse kemi humbur ndeshjen. Për mua është diçka pozitive. Lojtarët kanë nevojë për besim. Të besojnë te potencialet e tyre. Duhet të pranoj se gabime do të bëjmë gjithmonë, por duhet të reagojmë në mënyrën më të mirë të mundshme.

Ze Maria Tirana

Trajneri është i qetë, si është situata me presidentin?

Kam komunikuar me presidentin këto ditë. Për momentin nuk ka asgjë. Ne po bëjmë punën tonë, ai të tijën. Unë jam i përqendruar në punën time. Ai po mundohet që të më afrojë lojtarët që kërkoj unë dhe që kam nevojë. Unë, nga ana tjetër, duhet të jap rezultatin, atë që skuadra kërkon dhe dëshiron, ashtu siç duan tifozët, presidenti dhe shtypi. Nuk ka një krisje mes meje dhe presidentit. Madje ai e di shumë mirë, sepse kemi folur gjatë mesjavës.

Shumë pak emra si alternativa për këtë Tiranë…

Duhet të vijnë 2-3 lojtarë. Shpresoj që të mbërrijnë gjatë javës në vazhdim. Jam duke pritur prej kohësh dhe u bë goxha që pres. Presidenca po mundohet, por koha është e paktë sepse po arrijmë në fund të përgatitjeve dhe fillon kampionati. Nuk do të jetë e lehtë. Luajmë me një ekip të Kategorisë Superiore dhe duhet të jemi të përgatitur. Duhet të kemi zëvendësimet e duhura për çdo lloj skeme. Jam i bindur që të gjithë do të vijnë.

Jeni i kënaqur me blerjet e kësaj vere?

Eder ka vetëm pesë ditë stërvitje dhe nuk është në top-formë. Sentamu po bëhet i rëndësishëm për ne, por duhet të zhbllokohet sepse është sulmues dhe duhet të shënojë. Uellison duhet të jetë i qetë në lojë, sepse bën disa gabime që kur bëhen nga portieri dhe mbrojtësit, janë fatale. Ai duhet ta qetësojë shumë ekipin, ashtu siç bëri Ralfi (Zhivanaj) që vetëm 19 vjeç tregoi se është një lojtar model dhe mund të jetë titullar te kjo Tiranë.

OLSI TUJANI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"