Ze Maria donte sulmues, klubi “bllokon” merkaton

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 23, 2018 | 11:14

Ze Maria donte sulmues, klubi “bllokon” merkaton

Tirana mbyll llogaritë me sulmin. Edhe pse Ze Maria shfaqi hapur dëshirën për tjetër qendërsulmues dhe një sulmues anësor, këto afrime nuk do të vijnë. Pamundësia për të gjetur të duhurit në këtë periudhë, ka bërë që klubi të mos sjellë më prurje për këtë repart. Por, kjo nuk do të thotë që do të refuzonin ndonjë “okazion” që mund të dalë në treg. Nëse kjo ndodh, atëherë drejtuesit nuk do të kursehen për të plotësuar organikën e bardhebluve. Përgjegjësit e merkatos nuk kanë pikasur asnjë element brenda apo jashtë vendit që mund të përmbushë pritshmëritë, ndaj mendojnë që ta mbyllin këtu merkaton për ofensivën.

sentamu3

ALTERNATIVAT – Shpresat do të varen të gjitha te Junus Sentamu. Kur dihet që Majkëll Ngo është në proces riaftësimi, kryeqytetasit nuk kanë asnjë lojtar qendre të mirëfilltë. Megjithatë, ugandezi ka dëshmuar që mund të bëjë më së miri këtë rol, të njëjtën gjë do të bëjë edhe në Superiore. E vetmja gjë që presin është që “rebeli” të rikthehet në Shqipëri dhe të marrë ngarkesa, ashtu si pjesa tjetër e skuadrës. Megjithatë, edhe anglezi ka dhënë fjalën se do të jetë gati para parashikimeve. Edhe pse mjekët thonë që mund të jetë gati në shtator, ai po punon fort që të vihet nën urdhrat e stafit teknik që në hyrje të sezonit 2018-2019. Ofensiva e Tiranës nuk është kurrsesi e varfër, pasi veç emrave të përmendur më lart, është edhe Bedri Greca. Ai rezultoi një nga surprizat e sezonit të fundit.

ngoo

Edhe pse pa shumë zhurmë, ai u shndërrua në shënuesin më të mirë të skuadrës, duke ia kaluar edhe dyshes Ngo-Sentamu. Klubi pret shumë prej tij, madje ky ka qenë edhe motivi që nuk e lanë që të shkonte te Laçi për Europë. Ata e kërkuan edhe për turin e dytë, por duke qenë se kanë mangësi në sulm, aktualisht e refuzuan huazimin. Por, nuk është i vetmi, pasi klubi ka afruar edhe Dejan Blazhevskin. Edhe pse mosha e tij të krijon skepticizëm, të dhënat e para të shtojnë besimin, se mund të bëjë diferencën. Veç përvojës, Ze Maria mund të bëjë fare mirë llogaritë edhe me Halilin apo Muçin në ndeshje të veçanta. Gjithsesi, prova më e mirë për të vërtetuar se ka apo jo domosdoshmëri për afrime në sulm janë miqësoret.

ADELA MERKO

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"