Ze Maria braktis 4-4-2, ndryshim drastik në mbrojtje

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 10, 2018 | 15:15

Ze Maria braktis 4-4-2, ndryshim drastik në mbrojtje

Hoze Marselo Ferreira mendon të ndryshojë modul loje në sfidën ndaj Ilirisë dhe Luftëtarit në kampionat! Duket se braziliani do të braktisë “4-4-2”-in dhe ekipi do të rreshtohet me një “3-5- 2”. Premtimi për të ndryshuar lojtarët që kanë luajtur deri sot dhe që kanë zhgënjyer nis nga moduli i lojës. Kështu do të kalohet në një skemë me mesfushë të dendur, një sulm me risi në emra, por ndryshimi më i madh do të jetë në mbrojtje.

Ze Maria

Duke lënë pas portën që mbahet fort nga Ilion Lika, mbrojtja do të kthehet me tre futbollistë ku Turtulli do të luajë në qendër e Atinga do të aktivizohet djathtas, e Imami majtas. Në fakt, Eni Imami mund të jetë e reja e Ze Marias në ekipin e kësaj fundjave. Sa i përket qendrës së mbrojtjes, Turtulli është titullar, por nëse nuk ia del deri të dielën të lërë pas dëmtimin në gishtin e këmbës, atëherë në vend të tij mund të aktivizohet Sedat Berisha.

latif turtulli

Mesfusha mund të sjellë ndryshime në qendër të saj me Kobinën që mund të ulet në stol në stol ashtu si edhe Hasani me kthimin e treshes Daja-Karabeci-Maveje. Gjithsesi, gjasat janë që mesfusha në qendër të ketë surprizën më të madhe në formacionin anti-Luftëtari, ku pritet ndonjë ndëshkim për ndonjë prej futbollistëve, të cilët nuk bindën në sfidën e javës së shkuar. Krahët e mesfushës do të jenë të përbërë nga Kërçiku e Hoxhallari, por Doka, Greca e Halili mund të jenë alternativa të vlefshme për 11-shen e parë.

bedri greca

Trajneri është duke menduar disa variante edhe për sulmin ku me ardhjen e Oduamadit, njëri prej dyshes Sentamu-Blazhevski do të ulet në stol, pasi ish-sulmuesi i Milanit pritet të luajë nga minuta e parë. Ndonëse me Ilirinë do të ketë vend për ata që nuk janë aktivizuar, ndeshja me Luftëtarin pritet të sjellë jo pak surpriza te bardheblutë pas humbjes dërrmuese me Kukësin. Dhe ata që mund ta pësojnë do të jenë emra të dëgjuar…

gf

OLSI AVDIAJ

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"