Ze Maria bind Dorian Kërçikun, mbrojtësi i djathtë mbetet bardheblu

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 19, 2017 | 9:51

Ze Maria bind Dorian Kërçikun, mbrojtësi i djathtë mbetet bardheblu

Tirana “bllokon” Dorian Kërçikun. Pas insistimit të presidentit dhe trajnerit, lojtari i linjës së djathtë ka bërë prapakthehu. Një ofertë e ardhur nga Kukësi e “tundoi” jo pak mbrojtësin, i cili shpeshherë ka luajtur edhe si mesfushor, madje deri para disa ditësh “operacioni” mund të quhej i mbyllur.

kerciku

Lojtari kishte kërkuar zyrtarisht largimin nga 24 herë kampionët e vendit, por vendosmëria e klubit bëri që 24-vjeçari të mos largohej. Ze Maria, gjatë kësaj periudhe, ka biseduar vazhdimisht me Kërçikun, duke ia bërë të qartë se ai është një element që i duhet për të realizuar ngjitjen e menjëhershme në Kategorinë Superiore.

Në një kohë kur afrimet e reja akoma nuk janë adaptuar me grupin dhe me një largim të mundshëm të Albi Dokës, braziliani do të haste vështirësi të mëdha në ndërtimin e 11-shes dhe, mbi të gjitha, në linjën e djathtë. Por, tashmë nuk ka më vend për frikë, pasi numri 18 i bardhebluve nuk do të largohet.

Ky i fundit, i vendosur para një dilemë, zgjodhi klubin “mëmë”. Mbrojtësi, edhe pse 24 vjeç, numëron thuajse 100 ndeshje me fanellën e Tiranës, por duke shtuar aktivizimin e tij me Skënderbeun apo kompeticionet e tij, bën 175 ndeshje si futbollist profesionist. Për Tiranën do të ishte një humbje e madhe në organikë, ndaj edhe në klub janë mobilizuar që të gjithë për ta bindur.

ADELA MERKO

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"