Zbutet Ten Hag, Ronaldo pritet të kthehet titullar kundër Brentfordit të Strakoshës: U stërvit mirë, është gati

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 13, 2022 | 11:33

Zbutet Ten Hag, Ronaldo pritet të kthehet titullar kundër Brentfordit të Strakoshës: U stërvit mirë, është gati

Kristiano Ronaldo është gati për ta nisur titullar ndeshjen kundër Brentfordit, e vlefshme për javën e dytë të Premier Ligë, por trajneri Erik ten Hag tha se do ta marrë vendimin për sulmuesin 37- vjeçar vetëm mëngjesin e sotëm. Portugezi hyri vetëm si zëvendësues në pjesën e dytë kundër Brajtonit në javën e parë dhe nuk e shmangu dot humbjen turpëruese në “Old Trafford” 2-1.

ten_hag_ronaldo

Ten Hag e la në stol, sepse ai nuk ka arritur ende gjendjen fizike për ta nisur nga minuta e parë, pasi mungoi për 3 javë në fazën përgatitore. Por trajneri holandez tha në konferencën e djeshme se CR7 është stërvitur mirë këtë javë, por vendimin për aktivizimin e tij titullar do ta marrë vetëm sot, ditën e ndeshjes.

“Do të shohim nesër duke nisur nga ora 11:00. Ai është një vendimi im dhe unë do ta mbaj për vete. Ai është stërvitur mirë gjatë javës. Luajti pak më shumë se gjysmë ore dhe ka edhe dy gjysma ndeshjesh në këmbë”.

Nëse Kristiano do të jetë sërish në stol sot në orën 18:30, atëherë kjo do të ishte hera e parë që prej vitit 2005 që pesë herë fituesi i “Topit të Artë” do ta niste ndeshjen nga stoli në tri ndeshje radhazi të Premier Ligës për Mançester Junajtidin.

Ten Hag konfirmoi se Marsial dhe Lindelof do të mungojnë edhe këtë javë si pasojë e dëmtimit, ndërsa hodhi poshtë zërat e largimit të sulmuesit të tij Markus Rashford drejt PSG-së: “Ai është një lojtar i rëndësishëm që prej ditës time të parë këtu. Jam shumë i kënaqur me të dhe nuk dua ta humbas. Ai është pa dyshim në planet tona te Mançester Junajtidi”.

Përgatiti: ANDROKLIDRALO – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"