Zbuluesi i talenteve të Apolonisë: Ja pse ky klub e ka të ardhmen të sigurt
Ka studiuar për administrim biznes, por veten e gjeti si zbulues talentesh. Flasim për Pashtrik Halilin, i cili është pjesë e klubit Apolonia. 21-vjeçari nga Tetova e cilëson këtë si hapin e parë në botën e futbollit.
Karriera e tij në fakt nisi 3 vite më parë, duke bërë “scouting” për Lozanën në Zvicër dhe paralelisht vijoi trajnimet në “The FA introduction to talent identification”, një kurs ku pedagogu kryesor ishte Viktor Orta, drejtori sportiv i Leeds Utd.
Të njëjtën frymë e ka hasur edhe në Fier, atje ku hierarkia e klubit është e ndarë në mënyrë profesionale dhe secili ka mundësinë që ta bëjë punën pa presion. Gjatë një interviste të dhënë për “Panorama Sport”, ai na tregon planin që kanë bardhejeshilët për sezonin e ri. Promovimi i talenteve mbetet prioritet, ndonëse qëllimi kryesor është rikthimi në elitë.
Prej disa kohësh jeni “chief scout” tek Apolonia. Çfarë bëni konkretisht?
Apolonia ka të njëjtat struktura me top-klubet europiane, prandaj lindi nevoja për një “chief scout”. Unë u zgjodha pas aplikimeve të shumë kandidatëve. Jam përgjegjës për rekrutimin e lojtarëve nga klubi. Ne jemi përqendruar te kjo filozofi dhe siç mund ta vini re, në skuadrën e saj të parë i gjithë ekipi është i përbërë me lojtarë të rinj, ku mosha mesatare është 21.6 vjeç. Kjo tregon qartë edhe qëllimin tonë.
Përse një lojtar i ri duhet të zgjedhë ekipin Apolonia dhe jo ndonjë klub tjetër?
Në Shqipëri asnjë klub sportiv nuk u ka dhënë mundësinë lojtarëve të rinj të shkëlqejnë siç ndodh në Fier. Përveç mundësisë, ekziston edhe vizioni i qartë se si të përmirësohet. Nuk është rastësi që një nga lojtarët më të spikatur të Kombëtares, Myrto Uzuni, e nisi karrierën tek Apolonia në moshë të re.
Mori trajnimin e duhur profesional, luajti dhe u rrit në një mjedis pozitiv, ku nuk ulesh në stol vetëm pse ke bërë një gabim të vogël, por shihet potenciali që mbart dhe të jepet shansi që të përmirësohesh e të ngjitesh sa më lart. Këtë mjedis e gjetën edhe Mario Gjata, Redon Mihana, Romeo Harizaj apo të tjerë. I përmenda këta tre emra, pasi spikatën për sezonin 2020-2021 dhe tani kërkohen nga klube të njohura europiane. Kjo nuk është rastësore, por është dëshmi e shumë viteve punë dhe investim.
Çfarë ka bërë Apolonia ndryshe nga klubet e tjera që ka kaq sukses në rritjen e talenteve të reja?
Ka një mjedis të shkëlqyer për rritjen e talenteve të reja. Trajnimi që u bëhet lojtarëve është në nivelin më të lartë, pasi klubi ka trajner profesionist, palestrën ku çdo lojtar mund të trajnohet për të përmirësuar dobësitë e tij fizike. Klubi përkujdeset shumë për ushqimin e lojtarëve, pasi ka nutricionist. Akademia ka mjekë të specializuar në raste lëndimesh të lojtarëve dhe për problemet e tjera fizike, duke garantuar rikuperimin e tyre të shpejtë dhe të plotë.
Cila është filozofia e klubit Apolonia?
Klubi Apolonia në qendër të filozofisë së tij ka përgatitjen e talenteve të reja, duke investuar shumë në të gjitha grup-moshat, i promovon ata dhe kujdeset për karrierat e tyre në futbollin elitar vendas dhe nëpër botë, duke mos e kthyer qëllim në vetvete fitimin e titujve.
Gjatë sezonit 2020-2021, kur Apolonia luajti në Kategorinë Superiore, mund ta mbushte ekipin me lojtarë 31-32-vjeçarë dhe të siguronte mbijetesën. Por kjo nuk është filozofia e klubit. Tek Apolonia, nëse një lojtar i ri premtues bën një gabim, ekipi nuk e ndëshkon sepse për të vlen më shumë promovimi dhe mbështetja ndaj tij që të arrijë potencialin sesa 3-pikëshi momental.
Si e parashikoni të ardhmen e klubit?
Do të vazhdojë me promovimin e lojtarëve të rinj. Kemi mësuar shumë nga eksperienca dhe tani jemi edhe më të profesionalizuar për të përgatitur një talent, duke e përmirësuar atë me durim derisa ai të arrijë të shfaqë plotësisht potencialin e tij. Edhe pse qëllimi i klubit në sezonin 2021-2022 do të jetë rikthimi në Superiore, Apolonia nuk do të bëjë kompromis me shtyllën e filozofisë së saj: promovimin e lojtarëve të rinj.
Pra, gjatë merkatos, nuk pritet që një 31-vjeçar t’i bashkohet klubit?
Jo, absolutisht që jo. Ne nuk besojmë që një 31 apo 32-vjeçar e meriton vëmendjen e klubit, kur mund të promovojmë një 18-vjeçar që aftësinë e tij potenciale e ka dy herë më të madhe. Ne si klub e kemi vizionin të qartë dhe nuk vrapojmë asnjëherë pas suksesit momental.
PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"